OpenAI po shqyrton “ngadalësimin” e zhvillimit të inteligjencës artificiale të avancuar
Licencat e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B” pritet të skadojnë më 4 tetor, ndërsa mungesa e kuorumit në Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) rrezikon vazhdimin e tyre.
Sipas REL-it, ZRRE-ja ka konfirmuar se pa licenca aktive, KEK-u nuk ka bazë ligjore për të vazhduar prodhimin e energjisë.
Aplikimet për vazhdimin e licencave janë shqyrtuar nga stafi profesional, por vendimi përfundimtar nuk mund të merret pa funksionalizimin e Bordit.
Bordi aktualisht është pa kuorum për shkak të mungesës së dy anëtarëve dhe kryesuesit, ndërsa plotësimi i këtyre pozitave kërkon funksionalizimin e Kuvendit.
Ekspertët e energjisë paralajmërojnë se një skenar i tillë mund të kishte pasoja të mëdha për Kosovën.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj në një prononcim për “Front Online” ka kritikuar mosfunksionalizimin e institucioneve të vendit, duke thënë se një situatë e tillë po shkakton probleme të mëdha.
Mulaj tha se çështja e energjisë lidhet edhe me sigurinë kombëtare, ndërsa ka paralajmëruar për pasoja të mëdha në rast se nuk vazhdohen licencat.
“Kjo tregon më së miri çfarë funksionaliteti kanë institucionet e vendit, çfarë probleme u sjellin jo vetëm kompanive e ndërmarrjeve publike, por edhe bizneseve private e sigurisë kombëtare, sepse energjia hyn në këtë çështje”, ka deklaruar Mulaj.
Sipas tij, mosvazhdimi i licencave mund t’i shkaktojë Kosovës probleme të jashtëzakonshme, veçanërisht nëse institucionet kryesore nuk funksionalizohen.
“Vazhdimi i licencave sjell probleme jashtëzakonisht të mëdha Kosovës. Edhe nëse nuk formohen institucionet, siç është Kuvendi dhe bordi i ZRRE-së, në emër të sigurisë kombëtare në mënyrë automatike është dashur të vazhdohen”, ka thënë ai.
Mulaj ka vlerësuar se problemet me funksionalizimin e institucioneve po reflektohen drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.
“Kjo tregon që problemet me funksionalizimin e institucioneve tona sjellin pasoja të pariparueshme për ekonominë e vendit”, ka përfunduar Mulaj.
Njohësi i energjetikës, Vezir Rexhepi ka thënë se termocentralet Kosova A dhe Kosova B të cilat janë në kuadër të KEK-ut duhet të pajisen me licencë nga ZRRE-ja për të vazhduar operimin.
Rexhepi tha se të dy termocentralet duhet të operojnë në kuadër të rregullimit të ZRRE-së, duke theksuar rëndësinë e tyre për furnizimin me energji elektrike në vend.
“Termocentrali Kosova A dhe B, që janë në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës, duhet ta marrin dhe ta kenë licencën, e cila çdo herë aprovohet prej ZRRE-së. Nuk mund të flas për aspektet ligjore, por ata duhet të operojnë vetëm në kuadër të ZRRE-së”, ka deklaruar Rexhepi.
Sipas tij, energjia ka një ndikim të jashtëzakonshëm në funksionimin e vendit, pasi të dy termocentralet sigurojnë pjesën kryesore të furnizimit me energji elektrike.
“Çështja e energjisë ka ndikim të jashtëzakonshëm, sepse të dy termocentralet e furnizojnë vendin dhe së fundmi edhe bizneset pas liberalizimit të tregut”, ka thënë ai.
Rexhepi tha se çdo problem në furnizim do të kishte pasoja të mëdha.
“KEK-u e furnizon Kosovën pothuajse me mbi 80 për qind të prodhimit të përgjithshëm. Ndikimet janë të jashtëzakonshme nëse ka probleme te furnizimet dhe është e rëndë”, është shprehur Rexhepi.