Shqipëri| Inflacioni u rrit 3,2%, u nxit nga transporti dhe kostot e banimit

Norma e inflacionit arriti në 3,2% në gusht 2026, nga 2,3% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me korrikun, çmimet e konsumit u rritën me 0,1%.

Sipas të dhënave të INSTAT, ndikimin më të madh në inflacionin vjetor e dhanë “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 0,95 pikë përqindjeje, “Transporti”, me 0,79 pikë përqindjeje dhe “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me 0,76 pikë përqindjeje.

Në terma vjetorë, rritjen më të madhe të çmimeve e shënoi grupi “Transporti”, me 12%, i ndjekur nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 5,4% dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,6%.

Çmimet në grupin “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” u rritën me 3,7%, ndërsa “Ushqime dhe pije joalkoolike”, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Kujdes personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2,8% secili.

Nga ana tjetër, ulja më e madhe vjetore e çmimeve u regjistrua te “Veshje dhe këpucë”, me 3,2%, pasuar nga “Informacioni dhe komunikimi”, me 1%.

Krahasuar me korrikun, transporti shënoi rritjen më të madhe mujore, me 3,9%. Çmimet u rritën gjithashtu me 0,2% në grupin “Restorante dhe shërbime akomodimi” dhe me 0,1% në grupin “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”.

Në kahun tjetër, çmimet e veshjeve dhe këpucëve u ulën me 1,1%, ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 0,4%, pijeve alkoolike dhe duhanit me 0,3%, ndërsa mobiljeve, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së shtëpisë me 0,1%.

Të dhënat tregojnë se ushqimet, transporti dhe kostot e banimit e energjisë vijojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që përcaktojnë ecurinë e inflacionit në vend. /ATSH/

Read Previous

Presidenti iranian: Do të vazhdojmë rezistencën derisa agresorët të pendohen për sulmet

Read Next

Cubarsi: Nuk më pëlqen të humbas, kam fituar përvojë, jam i qetë edhe nën presion