Gjenerallejtënanti në pension Eric Wendt është konfirmuar si ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Ambasada amerikane në Tiranë ka uruar Wendt për detyrën e re, duke bërë të ditur se ai do të mbështesë nga Shqipëria prioritetet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Përfaqësia diplomatike amerikane ka theksuar se pret ardhjen e Wendt në Tiranë, ndërsa ka përmendur edhe fushat ku pritet të përqendrohet angazhimi i tij.
“U konfirmua! Urime Gjenerallejtënantit (në pension) Eric Wendt për rolin e tij të ri si Ambasadori i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri! Presim me kënaqësi Ambasadorin e emëruar Wendt në Tiranë, nga ku do të mbështesë vizionin e Presidentit Trump për siguri të përbashkët, një NATO më të fortë dhe marrëveshje të drejta për bizneset amerikane”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Në maj, Eric Wendt ishte nominuari nga presidenti Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. /KosovaPress/