​Nga basketbolli kosovar në atë të Arabisë Saudite, Egzon Uka nis kapitullin e ri si trajner

Trajneri kosovar i basketbollit, Egzon Uka, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi është bërë pjesë e stafit teknik të kampionit në fuqi të Arabisë Saudite, Al-Ula.

Në një intervistë për KosovaPress, ai ka zbuluar se kalimi i tij te skuadra saudite erdhi pas njohjes me trajnerin kryesor të ekipit, Izzat Ismail, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e klubit Peja 03 në Kosovë.

Sipas Ukës, Ismail kishte vlerësuar punën e tij gjatë kohës kur ai drejtonte ekipin e femrave të Prishtinës dhe kjo ndikoi në ftesën për t’iu bashkuar stafit të Al-Ulas.

“Trajneri këtu që është kryesor, Izzat Ismail, ka qenë një sezon në klubin Peja 03 në Prishtinë, në Kosovë domethënë. Edhe më ka rënë rasti të luaj kundër tij dhe atij i ka pëlqyer si e kam përgatitur unë ekipën në atë kohë, sezonin e kaluar kur kam qenë trajner kryesor për klubin e femrave Prishtina. Edhe i ka pëlqyer qysh e kam përgatitur edhe pas një sezone ai ka qenë atje vetëm sa ka qenë Liga EuroCup kur ka marrë pjesë Peja 03, edhe ka vazhduar karrierën e tij këtu në Arabi, në klubin Al-Ula ku është edhe tash. Dhe më ka kontaktuar, më ka thënë që kam qejf me pasur një trajner si ti pjesë të stafit. Edhe kjo ka qenë, domethënë kemi folur tani për kushtet qysh janë, edhe e kam pasur një mundësi të mirë për me ardhur me zhvilluar karrierën këtu”, ka treguar Uka.

Ai në Al-Ula do të ketë dy role, atë të ndihmëstrajnerit dhe trajnerit për përgatitjen individuale të lojtarëve. Krahas përgatitjes teknike të basketbollistëve, ai do të ndihmojë edhe në aspektet taktike të skuadrës.

Më tutje, Uka tregon se kishte pasur oferta edhe nga skuadra të tjera në Arabinë Saudite, por vendimi për largim nga Kosova nuk ishte i lehtë, pasi në sezonin e fundit kishte qenë kryetrajner i ekipit të vajzave të Prishtinës.

“Ofertë kam pasur me disa, me dy ose tri ekipe që kanë qenë atje, po si ndihmës trajner edhe, vetë fakti që kam qenë vitin e fundit si head coach në klubin e basketbollit të femrave Prishtina, kam hezituar pak me e me lëvizur nga ai post, për arsye se kur je head coach është pak përgjegjësia më e madhe”, ka deklaruar ai.

Al-Ula, përveç garave vendore në Arabinë Saudite, do të marrë pjesë edhe në kompeticione ndërkombëtare aziatike, përfshirë Liga Super e Azisë Perëndimore (Ëest Super Asia League), çka për Ukën do të jetë një mundësi e re për të fituar përvojë në nivel të lartë.

Ndërkohë, gjatë muajit shtator Al-Ula do të qëndrojë në Kosovë për përgatitje, ku do të zhvillojë tri ndeshje miqësore me skuadra të Superligës së Kosovës.

“Në shtator i kemi tri lojë miqësore me tri ekipe të Superligës së Kosovës. Me datën 10 shtator deri më 22 shtator jemi në Kosovë edhe do t’i zhvillojmë tri lojë miqësore, kështu që përveç lojëve miqësore shpresoj shumë që ekipet e Kosovës në të ardhmen me marrë pjesë me ne në gara që mund të ballafaqohemi ose bashkë. Me rëndësi është vetëm që klubet e Kosovës me marrë pjesë sa më shumë në gara ndërkombëtare”, tregoi Uka.

Kalimin në basketbollin ndërkombëtar Uka e cilëson si një hap të madh dhe të rëndësishëm në karrierën e tij, duke shpresuar që kjo eksperiencë t’i hapë rrugë sfidave të reja profesionale. Ai ka shprehur dëshirën që klubet kosovare në të ardhmen të marrin pjesë sa më shumë në gara ndërkombëtare, pasi përballjet me ekipe të huaja janë të rëndësishme për zhvillimin e basketbollit vendor.

Uka ka një përvojë të gjerë në basketbollin kosovar, ku përveç drejtimit të Prishtinës, ka qenë edhe përzgjedhës i Kombëtares U18 të Kosovës në kategorinë vajzave, ndërsa më herët ka punuar si ndihmës trajner në kategoritë e reja të Kombëtares. /KosovaPress/

Read Previous

​Eric Wendt konfirmohet ambasador i ardhshëm i SHBA-së në Shqipëri

Read Next

​Inteligjenca amerikane vlerëson se Putini mund të nisë një sulm që synon të testojë unitetin e NATO-s