​Infantino kërkon falje për gabimet, por ruan postin në FIFA

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje për gabimet e bëra në lidhje me planin e diskutueshëm për përfshirjen e investitorëve privatë në garat e FIFA-s, por ka ruajtur postin pas mbështetjes së Bordit të Menaxhimit.

Në një takim të mbajtur në Rabat të Marokut, drejtuesit e FIFA-s riafirmuan besimin ndaj Infantinos. Ai dhe sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafstrom, u kërkuan falje 211 federatave anëtare dhe u zotuan se gabime të tilla nuk do të përsëriten.

Plani parashihte krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise (FFE), përmes së cilës investitorët privatë do të financonin garat e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra. Propozimi u kritikua ashpër nga UEFA dhe disa zyrtarë të FIFA-s, të cilët e cilësuan procesin si jo transparent.

FIFA pranoi se federatat nuk ishin përfshirë mjaftueshëm në procesin e vendimmarrjes, por theksoi se do të mbrojë integritetin dhe reputacionin e organizatës. Gjithashtu, hodhi poshtë raportimet se Infantino i kishte premtuar Marokut organizimin e finales së Botërorit 2030 në këmbim të mbështetjes për projektin.

Organizata njoftoi se vendimi për stadiumin e finales së Botërorit 2030, që do të organizohet nga Maroku, Spanja dhe Portugalia, do të merret në një fazë të mëvonshme. /KosovaPress/

Read Previous

​Irani: Marrëveshja me Omanin për ngushticën e Hormuzit në fazën përfundimtare

Read Next

SHBA-ja ndan 242 milionë dollarë ndihmë për epideminë e Ebolës në Afrikë