Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i kërkuari me letërarrestim ndërkombëtar
Edicioni 2026/2027 i Premier Leagues nuk ka filluar ende, por tashmë ka bërë histori, shkruan BBC të martën.
Nëntë klube do të fillojnë kampionatin me trajner të ri. Është numri më i madh i trajnerëve debutues në xhiron e parë të kampionatit elitar të Anglisë ndonjëherë.
Nga Liverpooli dhe Manchester City, te Newcastle Unitedi dhe Chelsea, ndryshimi ka përfshirë thuajse gjysmën e ligës.
Nëntë klube, nëntë histori
Shkalla e ndryshimeve i ka dhënë formë të re në mënyrë dramatike skenës së trajnerëve në Premier League.
Liverpooli emëroi Andoni Iraolan, pasi Arne Slot u shkarkua. Manchester City vendosi për Enzo Marescan pas dorëheqjes së Pep Guardiolas, që solli shumë trofe në “Etihad”.
Chelsea zgjodhi Xabi Alonson pas dëshpërimit me Liam Rosenior. Bournemouthi e mori Marco Rosen pasi Iraolas i përfundoi kontrata. Oliver Glasner është punësuar te Nottingham Foresti. E zëvendësoi Vitor Pereiran e shkarkuar.
Crystal Palace i besoi Pierre Sages pasi Glasner u largua në fund të kontratës. Alvaro Arbeloa erdhi në vend të Marco Silvas te Fulhami, ndërsa Ipswish Town emëroi Gary O’Neil si pasardhës të Kieran McKenna që dha dorëheqje.
Matthias Jaissle do të jetë trajner i ri i Newcastle, pas dorëheqjes që javën e kaluar e dha Eddie Howe.
Pra janë plot nëntë klube që fillojnë edicionin me trajner të ri të përhershëm.
Rekordi i mëparshëm ishte në edicionin 2016/17, kur tetë klube filluan kampionatin nën menaxhim të ri. Ishte vera kur Pep Guardiola mori drejtimin e Cityt.
Shtatë klube ndryshuan trajnerët para edicionit 1995/1996, ndërsa gjatë në verën e vitit 2012.
Ndërrimi i gjeneratës
Mikel Arteta i Arsenalit, i emëruar në dhjetor 2019, tani është trajneri me shërbimin më të gjatë në ligë, pavarësisht se është në krye më pak se shtatë vjet.
Vetëm Diego Simeone i Atletico Madridit, që udhëheqë skuadrën spanjolle nga dhjetori i vitit 2010, ka qenë në krye të një klubi për kohë më të gjatë në pesë ligat e mëdha evropiane.
Unai Emery i Aston Villas dhe Daniel Farke i Leedsit janë në skuadrat e tyre për më shumë se tri edicione, ndërsa Regis le Bris i Sunderlandit, i emëruar në korrik 2024, është i katërti në listë, sa i takon Premier Leagues.
Michael Carrick dëshmon më së miri se si kanë ndryshuar gjërat për të shpejtë, shkruan BBC.
Ndonëse u bë trajner i përhershëm në maj, pasi mori drejtimin e përkohshëm në janar, vetëm dhjetë trajnerë të Premier Leagues janë në pozitë më gjatë se Carrick.
Kërcënimi i famshëm
Mbetet të shihet nëse ekziston ende “kërcënimi tradicional i trajnerit të ri”. Kjo teori sugjeron që ekipet shpesh shijojnë një përmirësim afatshkurtër pas emërimit të një trajneri të ri, të ndihmuar nga motivimi i ripërtërirë, ndryshimet taktike dhe rifillimi psikologjik.
Këtë edicion kjo teori mund të testohet si kurrë më parë.
Në xhiron e parë janë tri ndeshje të skuadrave me trajnerë të rinj. Liverpooli do t’i luajë gjashtë ndeshjet e para me skuadra që kanë ndryshuar trajnerë.
Epoka e re
Për herë të parë që nga edicioni 1985/1986, liga elitare e Anglisë do të fillojë pa Alex Ferguson, Arsene Wenger, Jose Mourinho, Jurgen Klopp ose Guardiolan në pozicionin e trajnerit. Ata kanë fituar 26 nga 34 titujt e ligës. Për më tepër, këta trajnerë ikonikë kanë përcaktuar gjenerata të njëpasnjëshme të futbollit anglez.
Skuadrat e pamëshirshme të Unitedit të Fergusonit vendosën standard gjatë viteve formuese të Premier Leagues, përpara se Wenger të transformonte përceptimet e përgatitjes, shkencës sportive dhe të ushqyerit në Arsenal.
Mourinho prezantoi një nivel të ri të pragmatizmit taktik dhe luftës psikologjike. Presioni me intensitet të lartë i Kloppit i dha formë tjetër Liverpoolit, kurse futbolli pozicional i Guardiolas krijoi një nga ekipet më dominuese në historinë e futbollit anglez.
Vetëm Ferguson, Mourinho dhe Guardiola kanë mbrojtur titull të kampionit në Premier League. Arteta mund ta bëjë këtë, pasi e udhëhoqi Arsenalin drejt titullit të kampionit në edicionin e kaluar. Rivalët e tij tradicionalë kanë trajner të rinj. Carrick e fillon edicionin e parë të plotë si trajner i “djajve të kuq”.
Koha do të tregojë nëse figura e ardhshme përcaktuese do të shfaqet menjëherë. Por me trajnerët që formësuan më shumë se tri dekada të historisë së Premier Leagues, edicioni i ardhshëm shënon fillimin e një kapitulli të ri.
A garanton ndryshimi sukses?
Ndryshimet e mëdha nuk filluan këtë verë. Edicioni i kaluar përfshiu 11 ndryshime të trajnerëve.
Qëndrimi mesatar i një trajneri të nivelit të lartë tani është rreth 20 muaj, duke ilustruar se sa e shkurtër mund të jetë jetë në një nga punët më të lakmuara në futboll.
Dhe ndryshimet e trajnerëve nuk ofrojnë garanci për sukses.
Gjatë kampionatit të kaluar disa klube që ndërruan trajnerë vazhduan të përballen me vështirësi. Nottingham Forest punësoi tre trajnerë, Tottenhami e ndryshoi dy herë trajnerin kryesor, ndërsa Chelsea gjithashtu bëri ndryshim pa përfunduar kampionati.
Por kishte ekipe të tjera që kishin përmirësim të menjëhershëm. Carrick me Unitedin fitoi 2.6 pikë mesatarisht në pesë xhirot e para.
Hulumtimet tregojnë se cilësia e lojtarëve dhe shpenzimet mbesin parashikues më i fortë i rezultateve sesa vetëm ndryshimi trajnerëve.
Të tjera raporte thontë se suksesi apo dështimi varet nga mjedisi që trashëgojnë trajnerët, aq sa edhe aftësitë e tyre.
Që kur nisi epoka e Premier Leagues, në vitin 1992, vetëm gjashtë trajnerë e kanë fituar titull në edicionin e parë në krye të klubit.
Mourinho e arriti këtë në edicionin 2004/05 me Chelsean, përpara se Carlo Ancelotti ta përsëriste suksesin me të njëjtin klub në edicionin 2009/10
Manuel Pellegrini e udhëhoqi Manchester Cityn drejt titullit në edicionin e tij të parë, 2013/14, kurse Claudio Ranieri udhëhoqi kampanjën e pabesueshme të Leicester Cityt në edicionin 2015/16. Antonio Conte e fitoi ligën me Chelsean në edicionin 2016/17 dhe së fundi Arne Slot e udhëhoqi Liverpoolin në edicionin e tij të parë në krye, 2025/26.
Me gati gjysmën e trajnerëve emra të rinj, Premier League po bëhet gati për një nga edicionet më të paparashikueshme deri më tani.