Ushqyerja në vitet e para të jetës, vendimtare për shëndetin e fëmijëve në të ardhmen
Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin sulme të reja ushtarake ndaj Iranit që këtë fundjavë, kanë konfirmuar për CNN dy zyrtarë amerikanë të njohur me planet e administratës.
Edhe pse përmasat e sakta të operacionit dhe objektivat konkrete ende nuk janë përcaktuar plotësisht, zyrtarët paralajmërojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe se sulmet e planifikuara mund të anulohen në momentin e fundit.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit të premten, presidenti amerikan Donald Trump nuk e fshehu zhgënjimin për dështimin e përpjekjeve diplomatike deri tani. Ai paralajmëroi hapur rifillimin e sulmeve ushtarake, duke dërguar një mesazh të ashpër ndaj Teheranit.
“Do t’i godasim shumë fuqishëm. Në një moment ata do të thonë: ‘Thjesht nuk mund të durojmë më’”, deklaroi Trump.
Sipas burimeve të CNN-it, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) tashmë ka përgatitur disa skenarë që përfshijnë zgjerimin e konfliktit. Ndër skenarët më agresivë është një fushatë bombardimesh intensive dyjavore kundër lokacioneve të raketave iraniane.
Gjithashtu janë përshpejtuar përgatitjet ushtarake për sulme të drejtpërdrejta ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit. Edhe pse planet nuk kufizohen vetëm në një objektiv të vetëm, një nga caqet kryesore të përmendura është impianti nëntokësor fortifikues “Mali Pickaxe”, i vendosur në jug të kryeqytetit iranian, Teheran.
Zyrtarët amerikanë thonë se po shqyrtohen edhe sulme ndaj objekteve energjetike iraniane, por administrata në Uashington po vepron me kujdes të madh. Shqetësimi kryesor lidhet me një hakmarrje të mundshme të Iranit ndaj infrastrukturës energjetike në rajonin e Gjirit Persik, gjë që mund të shkaktojë tronditje serioze në tregjet globale të energjisë, të cilat tashmë janë nën presion të madh për shkak të zhvillimeve të luftës.
Ky qëndrim i SHBA-së bie ndesh me dëshirat e Izraelit. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi më herët këtë javë se goditja e infrastrukturës së naftës dhe energjisë së Iranit do të ishte vendimtare për dobësimin ekonomik të Teheranit.
“Ne me të vërtetë duam të sulmojmë objektivat energjetike të Iranit, por SHBA-ja aktualisht nuk e miraton këtë”, tha Katz.
Sipas informacioneve të disponueshme, deri tani nuk ka shenja se Izraeli do t’i bashkohet drejtpërdrejt valës së ardhshme të sulmeve amerikane.
Në pyetjet e gazetarëve lidhur me raportimet se Trump tashmë ka urdhëruar një raund të ri sulmesh për fundjavën, Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë detajet operative, por theksoi se Uashingtoni nuk do të tolerojë veprimet e Teheranit.
Zyrtarët amerikanë theksuan se presidenti Trump nuk do të “qëndrojë anash”.
“Irani do të vazhdojë të paguajë çmimin derisa të ulet në tryezën e negociatave në një mënyrë domethënëse, ashtu siç e konsideron presidenti Trump”, deklaroi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. /Telegrafi/