Shqipëria kryeson Ballkanin për njohjen e azilit

Credit: AFP via Getty Images

Shqipëria rezulton vendi me normën më të lartë të njohjes së kërkesave për azil në Ballkanin Perëndimor gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, sipas një raporti të publikuar nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Raporti, i cili analizon të dhënat për periudhën janar-maj 2026, tregon se autoritetet shqiptare kanë dhënë 28 vendime në shkallë të parë për kërkesat për azil, me një normë njohjeje prej 70%, më e larta ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në raport.

Në fund të muajit maj, në Shqipëri mbeteshin 16 kërkesa në pritje të vendimmarrjes.https://albanianpost.com/iqos

Në të njëjtën periudhë, në Shqipëri u regjistruan 59 shprehje të qëllimit për të aplikuar për azil, krahasuar me 28 në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Megjithatë, vetëm 10 persona depozituan zyrtarisht kërkesën për azil, ndërsa katër aplikime u regjistruan vetëm gjatë muajit maj.

Në nivel rajonal, UNHCR-ja bën të ditur se ndërmjet janarit dhe majit 2026 u regjistruan pothuajse 6 mijë e 900 synime për të aplikuar për azil, kryesisht nga shtetas të Sudanit (38%), Egjiptit (22%) dhe Afganistanit (16%).

Gjatë së njëjtës periudhë, 414 persona paraqitën zyrtarisht kërkesën për azil, një rritje prej 37% krahasuar me pesë muajt e parë të vitit të kaluar.

Sipas raportit, në rajon u morën 282 vendime në shkallë të parë për kërkesat për azil. Prej tyre, 49 persona përfituan forma plotësuese të mbrojtjes, ndërsa 15 morën statusin e refugjatit. Duke përjashtuar rastet e mbyllura për arsye procedurale, norma mesatare e njohjes së mbrojtjes ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor ishte 44%.

Raporti përfshin gjithashtu gjetje nga 407 intervista të zhvilluara nga UNHCR dhe partnerët e saj në periudhën dhjetor 2025 – maj 2026.

Sipas tyre, personat që vijnë nga vendet prodhuese të refugjatëve deklarojnë se largohen kryesisht për shkak të kërcënimeve ndaj jetës dhe familjes (42%) dhe dhunës së përgjithshme (33%), ndërsa Franca dhe Gjermania mbeten destinacionet më të përmendura.

Për migrantët nga vende të tjera, arsyeja kryesore e largimit është mungesa e punësimit (41%). /Albanianpost.com

Read Previous

Mjetet ushtarake “Made in Albania”, Rama: Marrëveshje me 30 vende për eksport

Read Next

Kush janë boksierët më të pasur në historinë e këtij sporti?