Apple sërish kompania më e vlefshme në botë

Apple është rikthyer në krye të listës së kompanive publike me vlerën më të madhe në botë, duke lënë pas prodhuesin e çipave Nvidia, mes shqetësimeve në rritje të investitorëve për kostot e larta të zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Aksionet e Apple u rritën me më shumë se 1% gjatë seancës së së hënës, duke e çuar vlerën e saj në treg në rreth 4.9 trilionë dollarë. Ndërkohë, aksionet e Nvidia-s ranë me afro 5%, duke e ulur kapitalizimin e kompanisë në 4.8 trilionë dollarë.

Apple rikthehet kështu në vendin e parë rreth dy vjet pasi humbi këtë pozicion, ndërsa investitorët po rishikojnë strategjitë e tyre për sektorin e inteligjencës artificiale.

Gjatë katër viteve të fundit, ndryshe nga shumica e gjigantëve të teknologjisë, Apple nuk ka investuar masivisht në zhvillimin e modeleve të veta të inteligjencës artificiale.

Konkurrentët e saj kanë shpenzuar qindra miliarda dollarë për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe blerjen e çipave të avancuar, kryesisht nga Nvidia.

Apple, ndërkohë, ka zgjedhur të mbështetet në modelet e inteligjencës artificiale dhe shërbimet cloud të Google për një pjesë të funksioneve të produkteve të saj.

Që nga publikimi i ChatGPT në fund të vitit 2022, Nvidia ka përfituar nga kërkesa e jashtëzakonshme për procesorët grafikë (GPU), të cilët përdoren për zhvillimin dhe funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Megjithatë, së fundmi investitorët kanë shfaqur shqetësime për kostot gjithnjë e më të larta të këtij revolucioni teknologjik dhe për konkurrencën në rritje, veçanërisht nga Kina.

Edhe pse Apple u kritikua për vonesat në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe për shtyrjen e prezantimit të versionit të ri të asistentit virtual Siri, kompania ka bërë të ditur se nuk do të ndryshojë strategjinë e saj financiare.

Pas kalimit të drejtimit nga Tim Cook te John Ternus, Apple ka sinjalizuar se do të vazhdojë të ruajë disiplinën financiare që e ka karakterizuar prej vitesh.

Në muajin qershor, kompania prezantoi një version të përmirësuar të Siri-t, i cili pritet të hidhet në treg gjatë këtij viti. /Albanianpost.com

Read Previous

Roberto Mancini rikthehet te Italia

Read Next

“Mbreti” transferohet te Philadelphia 76ers