Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Kosova renditet ndër vendet me përfaqësimin më të lartë parlamentar në Ballkanin Perëndimor, ku një deputet përfaqëson mesatarisht 13.354 banorë, sipas një analize krahasuese të publikuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO) e Malit të Zi.
Sipas raportit, Mali i Zi ka numrin më të madh të deputetëve në raport me popullsinë, ku një deputet përfaqëson mesatarisht 7.699 banorë. Pas tij vjen Kosova me 13.354 banorë për deputet, ndërsa pasojnë Maqedonia e Veriut me 15.306, Shqipëria me 17.158, Serbia me 26.588, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ka raportin më të ulët në rajon, me 84.075 banorë për një deputet në Dhomën e Përfaqësuesve.
CGO thekson se këto shifra nuk tregojnë domosdoshmërisht cilësinë e punës së parlamenteve, por hapin diskutimin për raportin ndërmjet numrit të deputetëve, kostos së funksionimit të tyre dhe rezultateve konkrete që ata arrijnë në interes të qytetarëve.
Sipas organizatës, përfaqësimi më i madh ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me më shumë përgjegjësi, punë më cilësore legjislative, kontroll më të fortë ndaj ekzekutivit dhe qasje më të madhe të deputetëve ndaj qytetarëve. Në të kundërt, ai shndërrohet vetëm në një kosto shtesë pa përfitim proporcional për publikun.
Në analizë thuhet se për vendet me parlamente dydhomëshe, si Bosnja dhe Hercegovina, janë përdorur të dhënat për dhomën e ulët, ku zgjidhen drejtpërdrejt përfaqësuesit e qytetarëve. Të dhënat për popullsinë bazohen në regjistrimet më të fundit zyrtare.
CGO ka krahasuar gjithashtu raportin mes deputetëve dhe popullsisë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas analizës, Malta ka përfaqësimin më të lartë me një deputet për 6.577 banorë, e ndjekur nga Luksemburgu (10.732), Estonia (13.186), Qipro (16.489), Letonia (18.932) dhe Sllovenia (23.433).
Në anën tjetër, vendet më të mëdha të BE-së kanë numrin më të madh të banorëve për deputet: Italia (147.428), Spanja (140.366), Gjermania (131.270), Franca (119.726) dhe Holanda (116.503).
CGO përfundon se numri i deputetëve nuk është në vetvete tregues i cilësisë së demokracisë, por se ajo matet nga përgjegjësia, puna dhe rezultatet që përfaqësuesit e zgjedhur arrijnë në shërbim të qytetarëve. /Pobjeda