Komisioni Evropian ka pranuar se sistemi i ri i regjistrimit të hyrje-daljeve në Bashkimin Evropian (EES) po shkakton probleme serioze në pikat kufitare, ndërsa udhëtarët po përballen me pritje shumëorëshe dhe vonesa të mëdha gjatë sezonit veror.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se autoritetet në Bruksel janë në dijeni të vështirësive që po hasen gjatë zbatimit të sistemit dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetet anëtare për të monitoruar situatën dhe për të gjetur zgjidhje. Megjithatë, Komisioni nuk ka paralajmëruar pezullimin e sistemit.
Sistemi EES (Entry/Exit System) regjistron në mënyrë elektronike hyrjen dhe daljen e shtetasve të vendeve jashtë BE-së, duke zëvendësuar vulat tradicionale në pasaporta. Gjatë kontrollit kufitar merren të dhënat biometrike të udhëtarëve, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës, shkruan politico.
Megjithatë, zbatimi i tij ka shkaktuar kolona të gjata në aeroporte dhe pika kufitare. Shoqatat e aviokompanive dhe aeroporteve evropiane kanë paralajmëruar se në disa raste pritjet zgjasin deri në pesë orë, ndërsa shumë pasagjerë kanë humbur fluturimet për shkak të procedurave të ngadalta.
Industria e aviacionit i ka kërkuar Komisionit Evropian që t’u lejojë shteteve anëtare ta pezullojnë përkohësisht përdorimin e sistemit kur fluksi i udhëtarëve tejkalon kapacitetet e pikave kufitare. Sipas tyre, pa masa shtesë dhe më shumë personel, situata mund të përkeqësohet gjatë kulmit të sezonit turistik në korrik dhe gusht.
Edhe kompania ajrore Ryanair ka bërë thirrje për shtyrjen e zbatimit të plotë të sistemit deri në përfundim të sezonit veror, duke argumentuar se infrastruktura aktuale në shumë aeroporte nuk është e gatshme për kontrollet e reja biometrike. /Telegrafi/