Nga 2011 në 2024 – çfarë ndryshoi në popullsinë dhe jetën në Gjakovë?
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth kontrollit dhe ndërprerjes së përkohshme të aktivitetit të qumështores VITA, duke kërkuar transparencë të plotë dhe respektim të procedurave ligjore nga institucionet përgjegjëse.
Në një komunikatë për media, OEK thotë se pretendimet e ngritura nga kompania “për tejkalim të kompetencave nga institucionet përgjegjëse janë serioze” dhe thekson se, “nëse ato rezultojnë të vërteta, mund të cenojnë sigurinë juridike të bizneseve dhe besimin e investitorëve në institucionet publike”.
Për këtë arsye, OEK u bën thirrje institucioneve kompetente që të ofrojnë sa më parë sqarime të plota mbi bazën ligjore, proporcionalitetin dhe procedurat e ndjekura gjatë ndërmarrjes së veprimeve ndaj kompanisë.
Në reagim, OEK rithekson se siguria ushqimore dhe zbatimi i legjislacionit janë obligime të panegociueshme për të gjithë operatorët ekonomikë dhe institucionet përgjegjëse. Megjithatë, sipas këtij asociacioni, kontrollet inspektuese duhet të zhvillohen në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të barabartë ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe shmangien e çdo perceptimi për trajtim selektiv.
Oda Ekonomike rikujton gjithashtu se prodhuesit vendorë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për konkurrencën nga importi dhe kanë kërkuar forcimin e mekanizmave të kontrollit, si dhe mbështetje më të madhe institucionale për prodhimin vendas. Sipas saj, deri më tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për adresimin e këtyre kërkesave.
Në komunikatë thuhet se veprimet ndaj njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë kanë shkaktuar shqetësim në komunitetin e biznesit, pasi mund të ndikojnë drejtpërdrejt te punëtorët, fermerët furnizues, zinxhiri i furnizimit dhe ekonomia vendore.
Sipas të dhënave të paraqitura nga OEK, VITA grumbullon mbi 20 milionë litra qumësht në vit nga më shumë se 1,000 fermerë në mbarë Kosovën, duke përbërë një hallkë të rëndësishme të sektorit agro-ushqimor. Oda vlerëson se çdo ndërprerje e aktivitetit të kompanisë mund të ketë pasoja jo vetëm për vetë kompaninë, por edhe për fermerët, familjet e tyre dhe gjithë zinxhirin e furnizimit.
Në fund, Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve për transparencë të plotë në trajtimin e rastit, respektim të procedurave ligjore dhe të drejtave të operatorëve ekonomikë, trajtim të barabartë për të gjitha bizneset, si dhe politika të qëndrueshme që mbështesin konkurrencën e ndershme dhe zhvillimin e prodhimit vendor.
Sipas OEK-së, ruajtja e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbështetja e prodhimit vendor duhet të ecin paralelisht, ndërsa siguria juridike, parashikueshmëria institucionale dhe partneriteti ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit mbeten parakushte për zhvillimin ekonomik të vendit. /RTKLive