“Shqipëria ruan normën më të ulët të inflacionit në rajon”

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se Shqipëria vijon të ruajë nivele të ulëta inflacioni, krahasuar me vendet e rajonit dhe mesataren e Bashkimit Europian, duke dëshmuar stabilitetin makroekonomik të vendit dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj u ndal te ecuria e inflacionit, një tregues që sipas tij është diskutuar gjerësisht gjatë muajve të fundit në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.

“Inflacioni, një nga indikatorët e tjerë që është diskutuar gjerësisht përgjatë këtyre dy muajve si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme, edhe gjatë muajit prill në Shqipëri ka pasur normën më të ulët krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu edhe krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian”, u shpreh ministri.

Sipas Malajt, niveli i ulët i inflacionit përbën një tregues të rëndësishëm të qëndrueshmërisë ekonomike të vendit dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

“Kjo normë e ulët e inflacionit është një tregues i stabilitetit më të madh makroekonomik, por nga ana tjetër është edhe një tregues i ruajtjes së fuqisë blerëse për qytetarët shqiptarë në raport edhe me vendet e tjera të rajonit”, tha ai.

Ministri theksoi se ruajtja e stabilitetit të çmimeve mbetet një element kyç për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për mbështetjen e konsumit të brendshëm, në një periudhë kur ekonomitë e rajonit dhe më gjerë vijojnë të përballen me pasiguritë e krijuara nga tensionet gjeopolitike dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. /ATSH/

Read Previous

106-vjetori i Luftës së Vlorës

Read Next

Dita Botërore e Mjedisit, institucionet dhe ekspertët ngrejnë shqetësimin për deponitë ilegale