Rolando Maran: Shqipëria është vend krenar, synojmë Euro 2028

Trajneri i ri i kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka deklaruar se do të zhvendoset në Tiranë për të nisur menjëherë punën me ekipin kombëtar, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend “krenar dhe me besim të madh”.

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Maran tha se vendimi për të marrë drejtimin e Shqipërisë në moshën 62-vjeçare erdhi si një surprizë e fortë emocionale dhe si një sfidë e re në karrierën e tij.

“Kur më kërkoi Shqipëria, u emocionova. Kuptova menjëherë se është një komb krenar”, u shpreh ai, duke shtuar se do të jetojë në Tiranë dhe do të nisë menjëherë punën me ekipin.

Maran konfirmoi se do të transferohet këtë të diel në kryeqytet dhe se synon ta përjetojë eksperiencën në mënyrë të plotë, duke mos e ndarë jetën mes Italisë dhe Shqipërisë.

Ai foli edhe për kontaktet me figura të njohura të futbollit shqiptar dhe italian, përfshirë Gianni De Biasi dhe Igli Tare, duke i cilësuar bisedat me ta si inkurajuese për vendimin e tij.

Një nga detajet simbolike që ai veçoi ishte fanella e Kombëtares me emrin e tij dhe numrin 28, që lidhet me objektivin e kualifikimit në Kampionatin Evropian 2028.

“Dua të mësoj gjuhën shqipe për të komunikuar direkt me lojtarët”, theksoi Maran, duke shtuar se stili i tij i lojës do të jetë proaktiv, vertikal dhe i bazuar në intensitet.

Objektivat kryesore të tij në krye të kombëtares janë rikthimi në Ligën B të UEFA Nations League dhe kualifikimi në një turne final të Evropianit, të cilat ai i cilëson si hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një skuadre konkurruese.

Maran gjithashtu shprehu admirim për historinë e futbollit ndërkombëtar, duke përmendur Italinë e vitit 1982 dhe “futbollin total” të Holandës së Johan Cruyff si modele frymëzimi.

Trajneri i ri i kombëtares mbylli intervistën duke kujtuar vlerësimet historike të legjendës italiane Gigi Riva, të cilat sipas tij mbeten një referencë e rëndësishme në karrierën e tij. /Albanianpost.com

Read Previous

SpaceX drejt Wall Street, Elon Musk mund të kthehet në trilionerin e parë në histori

Read Next

PS dhe PD dakordësohen për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë