I dërguari i Trump në Grenlandë: Është koha që SHBA të rikthejë praninë e saj në ishull

Credit: Mark Schiefelbein / Associated Press

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Grenlandën, Jeff Landry, deklaroi se ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të “rikthejnë gjurmën e tyre” në ishullin arktik, duke rindezur debatet mbi rolin amerikan në këtë territor autonom të Danimarkës.

Në përfundim të vizitës së tij të parë në Grenlandë që prej emërimit në dhjetor 2025, Landry tha se Groenlanda ka nevojë për SHBA-në dhe se administrata amerikane po shqyrton zgjerimin e operacioneve të sigurisë kombëtare dhe rikthimin e pranisë në disa baza ushtarake.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se kontrolli mbi Grenlandën është i rëndësishëm për sigurinë kombëtare amerikane, duke argumentuar se në të kundërt territori mund të bjerë nën ndikimin e Kinës ose Rusisë.

Grenlanda konsiderohet strategjike për shkak të pozicionit të saj në Arktik, rezervave të mundshme të mineraleve të rralla dhe rëndësisë në rrugët e reja detare që po krijohen me shkrirjen e akullit polar.

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, SHBA kishte 17 instalime ushtarake në Grenlandë, ndërsa aktualisht operon vetëm bazën Pituffik Space Base në veri të ishullit. Raportime të fundit kanë sugjeruar se Uashingtoni po shqyrton hapjen e tre bazave të reja në jug.

Vizita e Landry në kryeqytetin Nuuk nuk ishte ftuar zyrtarisht dhe ka shkaktuar reagime politike.

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se takimet me delegacionin amerikan ishin konstruktive, por theksoi se nuk ka asnjë shenjë që pozicioni amerikan ndaj Grenlandës ka ndryshuar.

Autoritetet daneze dhe groenlandeze kanë përsëritur vazhdimisht se vetëm populli i Grenlandës mund të vendosë për të ardhmen e territorit.

Gjatë vizitës, Landry la të kuptohet gjithashtu se SHBA mbështet ambicien afatgjatë të disa groenlandezëve për pavarësi ekonomike, duke argumentuar se ekzistojnë mundësi që ishulli të reduktojë varësinë nga Danimarka.

Vizita u shoqërua me polemika të tjera pasi në delegacion ndodhej edhe një mjek amerikan, i cili deklaroi se po vlerësonte nevojat shëndetësore në Grenlandë – një zhvillim që u kritikua nga ministrja groenlandeze e Shëndetësisë, Anna Wangenheim, e cila tha se “groenlandezët nuk janë pjesë e një projekti gjeopolitik”. /Albanianpost.com

Read Previous

Formula 1 | Wolff: Rivalët janë përmirësuar ndaj do të reagojmë

Read Next

A po ndryshon qasja globale ndaj klimës pas rezolutës së re të OKB-së?