Vazhdon tradita e trajnerëve italianë në krye të kombëtares shqiptare

Vazhdon tradita e trajnerëve italianë në stolin e kombëtares së Shqipërisë. Pas emrave si Giuseppe Dosena, Gianni De Biasi, Christian Panucci dhe Edy Reja, tashmë drejtimin e kuqezinjve do ta marrë 62-vjeçari Rolando Maran.

Tekniku trentino ka firmosur kontratë 2-vjeçare me FSHF dhe pritet të debutojë në miqësoret e 3 dhe 6 qershorit ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Maran zëvendëson brazilianin Sylvinho, duke vazhduar kështu lidhjen e fortë historike mes Shqipërisë dhe shkollës italiane të trajningut.

Maran njihet për eksperiencat e tij në futbollin italian me skuadra si Catania, Chievo Verona, Cagliari dhe Brescia. Kulmin e karrierës e pati te Chievo, ku ndërtoi një skuadër shumë kompakte dhe konkurruese në Serie A, duke u vlerësuar për organizimin taktik, disiplinën defensive dhe lojën intensive pa top. Eksperienca e fundit ishte te Brescia në vitin 2025, aventurë që përfundoi me rënien e klubit në Serie C.

Maran bëhet kështu trajneri i pestë italian në historinë e kombëtares shqiptare. I pari ishte Giuseppe Dossena, i cili mori drejtimin e kuqezinjve në tetor të vitit 2002. Aventura e tij zgjati shumë pak, vetëm dy ndeshje në pankinë, me bilanc një fitore dhe një humbje. Ish-mesfushori kampion bote me Italinë në vitin 1982 u largua pas një periudhe të shkurtër dhe të trazuar organizative te kuqezinjtë.

Më pas erdhi epoka historike e Gianni De Biasi. Tekniku venecian drejtoi Shqipërinë në 52 ndeshje mes viteve 2011 dhe 2017, duke shkruar faqen më të lavdishme të futbollit shqiptar; kualifikimin historik në “Euro 2016”, turneu i parë madhor në historinë e kuqezinjve. Nën drejtimin e tij Shqipëria arriti fitore prestigjioze ndaj Portugalisë, Francës (miqësore) dhe Armenisë, ndërsa në “Euro 2016” mori edhe fitoren e parë historike në një kompeticion madhor, 1-0 ndaj Rumanisë.

Pas largimit të De Biasit, stafetën e mori Christian Panucci. Ish-mbrojtësi i Real Madridit dhe Milanit qëndroi në stolin kuqezi nga korriku 2017 deri në mars 2019, duke regjistruar 15 ndeshje si trajner i Shqipërisë. Panucci pati disa rezultate pozitive, si fitorja ndaj Izraelit në “Nations League”, por eksperienca e tij u karakterizua nga mungesa e vazhdimësisë dhe tensionet me ambientin, deri në shkarkimin pas humbjes 2-0 ndaj Turqisë në eliminatoret e “Euro 2020”.

Italiani i fundit përpara Marani ishte Edy Reja. Trajneri me eksperiencë drejtoi kuqezinjtë në 38 ndeshje mes prillit 2019 dhe nëntorit 2022. Gjatë periudhës së tij, Shqipëria arriti promovimin historik nga Liga C në Ligën B të “Nations League”, në sezonin 2020-2021. Po ashtu, kuqezinjtë zhvilluan një fushatë shumë pozitive në eliminatoret e Botërorit 2022, duke grumbulluar 18 pikë, rekordi më i mirë i Shqipërisë në një grup kualifikues për këtë kompeticion, duke iu afruar “play off”-it historik.

Tashmë radha i takon Ronaldo Marani, i cili do të ketë detyrën të vazhdojë rrugën e rritjes së kombëtares shqiptare dhe të mbajë gjallë traditën italiane në pankinën kuqezi, edhe pse “stafetën” e merr nga një brazilian si Sylvino, i cili po ashtu foli italisht me shqiptarët. /Telesport.al/

Read Previous

Dita Botërore e Mjekut të Familjes dhe sfida me inteligjencën artificiale

Read Next

Wadephul: Evropa duhet të mësojë nga Ukraina për sigurinë energjetike