GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar të përfshirë në dy raste kriminale ‘kontrabandë me migrantë’. Rasti i parë ka të bëjë me kontrabandimin e 12 personave me shtetësi të Sudanit.
“Në rastin e parë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit-Rahovec, më 13.05.2026 në orën 13:45, në zonën e Rugovës, kanë ndaluar automjetin me drejtues një mashkull kosovar, ku në automjetin që drejtohej nga i dyshuari janë hasur 12 persona, që pas verifikimeve, kanë rezultuar të jenë shtetas të Sudanit, të cilët posedonin dokumentacion azil-kërkimi nga Greqia. I dyshuari ishte duke i transportuar personat drejt kufirit me Malin e Zi. Me vendim të prokurorit i dyshuari B.K., mashkull kosovar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa emigrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure”, njofton PK.
Rasti i dytë ka ndodhur në kufirin te Hani i Elezit, ku gjatë vëzhgimit të terrenit me dron në fshatin Seqishtë, zyrtarët policor kanë vërejtur dy persona duke kaluar në këmbë vijën kufitare nga fshati Bllacë e Maqedonisë sëVeriut, në territorin e Kosovës, në afërsi të pikë kalimit kufitar ishte duke i pritur një automjet për t’i transportuar brenda territorit.
“Njësitë patrulluese kanë arritur ta ndalojnë automjetin dhe të arrestojnë tre persona shtetas kosovarë dhe një person shtetas i Bangladeshit”, vazhdon njoftimi.
Përderisa tre të dyshuarit me iniciale Q. C., P. L. dhe A. B., janë dërguar në mbajtje për 48 orë, viktima nga Bangladeshi është trajtuar nga njësia e migrimit dhe është dërguar në Qendrën e Strehimit për Migrantë në Vranidoll. Gjithashtu është sekuestruar përkohësisht një automjet me targa vendore dhe katër telefona mobilë. /RTKlive