Minatorët e Trepçës kërkojnë paga më të larta

Foto: Bujar Tërstena/Radio Evropa e Lirë

Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka shprehur shqetësim për gjendjen në Trepçë, duke ngritur kritika për kushtet e punës, pagat e ulëta, sigurinë në minierë dhe mungesën e investimeve në ndërmarrje.

Sindikata përmes një komunikate tha se ringritja e Trepçës nuk mund të arrihet pa mbështetje financiare dhe investime serioze nga shteti.

“‘Trepça’ nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe. Duke mos krijuar kushte pune të sigurta dhe mbrojtje të shëndetit, si dhe pa furnizim me mjete pune”, thuhet në reagim.

Minatorët kanë kritikuar edhe bordin dhe menaxhmentin e ndërmarrjes, duke thënë se barra e keqmenaxhimit po u faturohet punëtorëve.

“Është e dhimbshme dhe zhgënjyese se si nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për minatorët dhe po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vjet”.

Sindikata ka shprehur pakënaqësi edhe për mospërfshirjen në hartimin e draft-rregullores së pagave, duke theksuar se pritjet e minatorëve kanë qenë për rritje page dhe përmirësim të koeficientëve.

“Paga e minatorit ka mbetur shumë e ulët për një punë shumë të rëndë dhe të vështirë, pagesë qesharake”.

Sipas sindikatës, arsyetimi i bordit për mungesë fondesh nuk është i pranueshëm, pasi minatorët prej vitesh kërkojnë zgjidhje për statusin dhe kushtet e tyre.

“‘Trepça’ nuk mund të ringrihet me minatorë deri në moshën 65-vjeçare. Minatorë të harxhuar, s’ka energji njeriu ta përballojë punën në minierë deri në 65 vjet”.

Sindikata ka paralajmëruar se pas finalizimit të draft-rregullores së pagave do të organizojë takim me minatorët për të vendosur nëse dokumenti është i pranueshëm për ta.

Minatorët edhe në të kaluarën janë përballur me situata të ngjashme, një prej tyre, që është përsëritur viteve të fundit, ka qenë vonesa e pagave të tyre. /Albanianpost.com

Read Previous

Rama: Nuk kemi plan B përveç BE-së

Read Next

Shqipëria nuk do ta zgjasë marrëveshjen e emigrantëve me Italinë