Balla: Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e procesit të integrimit në BE

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit në Bashkimi Europian, ndërsa i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë për ta çuar para këtë proces.

Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Balla iu përgjigj deklaratave të opozitës e cila pretendon se negociatat kanë ngecur dhe Shqipëria është bllokuar.

Sipas tij, është fakt nga Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian që Shqipëria sot ka përmbushur të gjitha detyrimet që vijnë nga procesi i integrimit në BE.

“Të gjitha piketat e ndërmjetme me detyrimet që kishte Shqipëria sipas raportit të Komisionit Europian janë përmbushur. Ka një procedurë që duhet ta dimë nga Komisioni kalon te Këshilli dhe nga Këshilli tek vendet anëtare. Pardje nga komisionerja Marta Kos dhe dje nga zv/presidentja dhe komisionerja e lartë Kaja Kallas se pritshmëria e Shqipërisë për të përmbyllur procesin e anëtarësimit në BE brenda vitit 2030 është shumë realiste”, tha Balla.

Duke cituar komisioneren Kaja Kallas, Balla theksoi se “Shqipëria bashkë me Malin e Zi duhet të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane të vitit 2029”.

“Ky është fakt”, tha Balla, ndërsa i bëri thirrje opozitës të heqë dorë nga gjithë balta që hedh për Shqipërinë.

“Nuk e keni Shqipërinë vend armik, por jeni pjesë e pazëvendësueshme e demokracisë së vendit tonë. Ne nuk ju zgjedhim dot, as ju nuk na zgjidhni dot ne, por ky është momenti i duhur historik të punojmë të gjithë së bashku për ta çuar këtë aspiratë të vjetër të shqiptarëve përpara”, tha Balla.

Balla i bëri thirrje opozitës të lexojë me vëmendje raportin që PE do të miratojë në datën 5 maj ku u bën thirrje të bëhen pjesë e të gjitha proceseve.

“Ne kemi gatishmërinë të punojmë me ju për gjithçka, por edhe ju duhet të merrni përgjegjësitë që ju takojnë”, shtoi Balla, duke iu drejtuar opozitës. /ATSH/

Read Previous

Tahiri: Zgjedhja e presidentit po bëhet për konsum publik

Read Next

Berisha: Axhenda e Kuvendit nuk përfaqëson shqetësimet reale të shqiptarëve