Holanda hap rrugën për sistemin “Full Self-Driving” të Tesla
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se protesta e 17 prillit e thirrur nga kjo parti do të jetë një “revoltë e fuqishme qytetare kundër korrupsionit, gjendjes ekonomike dhe politikave të qeverisë”.
Duke folur për gazetarët, Berisha u ndal te situata ekonomike dhe rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës, duke e cilësuar atë si një barrë të rëndë për qytetarët dhe bizneset.
“Do të jetë një revoltë e fuqishme e qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të interesave të tyre më jetike, luftës kundër korrupsionit, shtetit ligjor dhe mbrojtjes nga vjedhjet e qeverisë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë kanë shtyrë shumë vende të ndërmarrin masa lehtësuese për qytetarët dhe fermerët.
“E gjithë Evropa, e gjithë bota perëndimore dhe Australia janë angazhuar në lehtësime të menjëhershme të barrës fiskale mbi naftën”, deklaroi ai.
Berisha solli si shembull disa vende europiane, duke përmendur masa mbështetëse për sektorin e bujqësisë dhe ulje të taksave mbi produktet bazë.
Sipas tij, Shqipëria nuk ka ndjekur të njëjtin drejtim, ndërsa akuzoi qeverinë për mungesë mbështetjeje ndaj fermerëve.
“Gjermania ka vendosur të dyfishojë subvencionin e naftës për fermerët, ndërsa vende të tjera si Suedia kanë ulur TVSH-në e ushqimeve. Ndërkohë, në Shqipëri janë hequr subvencionet për fermerët”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se politikat aktuale, rrezikojnë sektorin bujqësor dhe rrisin kostot për qytetarët.
Berisha theksoi gjithashtu se, fermerët shqiptarë duhet të mbështeten më shumë, duke nënvizuar se subvencionet për naftën dhe bujqësinë janë praktikë e përhapur në vendet e Bashkimit Europian.
Berisha tha shqiptarët e diasporës duhet ta dinë se viti 2025 ka shënuar rënien më të madhe në histori të investimeve të huaja.
Duke iu referuar rritjes së investimeve të huaja, sipas qeverisë, në nivelin 1.6 miliardë lekë, Berisha parashtroi se nga këto 800 milionë janë riinvestime të kompanive të huaja në Shqipëri, 32 për qind e pjesës së mbeture janë blerje apartamentesh dhe katesh nga shqiptarët jashtë vendit në Shqipëri.
“Ngelen gjithsej më pak se 18 përqind, 300 milionë euro kanë qenë investimet e huaja”, tha Berisha.
Ndërsa sa i takon “Paketës së Maleve”, Berisha tha se nuk është tjetër veç paketë e projekteve të mafias, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien viktimë. /ATSH/