Kompletohen grupet e Kupës së Botës

Iraku rrëmbeu vendin e fundit të lirë në Kupën e Botës, duke mposhtur Bolivinë 2-1 në ndeshjen eliminatore ndërkonfederale për të vulosur rikthimin pas një mungese 40-vjeçare.

Husejn shënoi golin e fitores në pjesën e dytë për t’i bërë irakianët ekipin e 48-të dhe të fundit që kualifikohet për turneun në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Një 90-minutësh që hodhi gjithnjë e më shumë dritë për kompeticionin që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik, turne që do të transmetohet ekskluzivisht në TV kombëtar Klan.

Kupa e Botës do të mbahet në Kanada, SHBA dhe Meksikë, kombëtare që u kualifikuan automatikisht për shkak se janë organizatore të turneut më të madh në histori. Me një format krejtësisht të ri, 48 ekipet kombëtare pjesëmarrëse do të garojnë për mundësinë për t’u ngjitur në majën e botës.

42 kombëtare janë kualifikuar përmes kualifikueseve për zonën evropiane, Amerikën e Jugut, Afrikë, Azi, Amerikën Qendrore dhe Oqeaninë, ndërsa tre ekipe janë kualifikuar si vende pritëse (Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Meksika), ndërsa kombëtare si Republika Demokratike e Kongos, Iraku, Çekia, Suedia, Bosnje-Hercegovina apo dhe Turqia u detyruan të kualifikohen përmes fazës eliminatore.

Argjentina, kampione bote në fuqi, do të tentojë të ruajë titullin, teksa për herë të parë në kompeticionin më të madh botëror do të jenë Uzbekistani, Jordania, Kepi i Gjelbër, Kuraçao dhe Haiti. Mungesë e madhe është padyshim Italia, 4 herë kampione bote, që dështoi për të qenë sërish për herë të tretë radhazi në një Kupë Bote. /tvklan.al

Read Previous

Analizë | Fati i vetove të Hungarisë në Bashkimin Evropian

Read Next

​Komisioni për Buxhet miraton marrëveshjen e kredisë për sektorin financiar, PDK voton kundër