Oda Ekonomike e Kosovës kërkon masa urgjente për frenimin e rritjes së çmimeve të naftës

Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës në Evropë, e ndikuar nga zhvillimet e fundit gjeopolitike, Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme fiskale nga Qeveria e Kosovës.

Sipas këtij institucioni, shtrenjtimi i derivateve ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e inflacionit, duke rritur kostot e prodhimit për bizneset dhe duke përkeqësuar standardin e jetesës për qytetarët.

“Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës propozon që Qeveria të marr masa konkrete fiskale, si ulja e tatimit mbi akcizën për derivatet e naftës, lirim i përkohshëm nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për derivatet e naftës, apo së paku duke ulur normën e Tatimit të Vlerës së shtuar”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, këto masa do të ndihmonin në uljen e çmimeve finale të karburanteve, duke lehtësuar barrën financiare për qytetarët dhe bizneset prodhuese, si dhe duke kontribuar në stabilizimin e tregut.

Oda Ekonomike thekson se TVSH-ja, si tatim konsumator, e kombinuar me akcizën, ndikon drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të derivateve.

Në reagimin e saj, ajo gjithashtu nënvizon se masa të ngjashme tashmë janë duke u zbatuar në disa vende të Bashkimit Evropian dhe në rajon, me qëllim frenimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rreziku i varfërisë.

Në fund, Oda Ekonomike e Kosovës shprehet e gatshme të kontribuojë me ekspertizën e saj në hartimin e politikave fiskale që do të mbështesin stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. /RTKlive

Read Previous

“Kemi gjasa reale për Botëror”, ish-kapiteni Anel Rashkaj flet para duelit me Sllovakinë

Read Next

Specialja ia heq kufizimet e vizitave tek Thaçi një personi, i lë në fuqi për 10 të tjerët