Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare

Në historinë politike të Kosovës ka figura që përfaqësojnë institucione, dhe figura që përfaqësojnë vetë idenë e lirisë. Adem Demaçi i përkiste kësaj të dytës. Ai nuk ishte vetëm një aktor i proceseve politike, por një zë i hershëm që artikuloi publikisht pavarësinë e Kosovës në kohë kur kjo ide konsiderohej e rrezikshme për t’u menduar.

Sot, në 90-vjetorin e lindjes së tij, bëhet e qartë se Demaçi nuk ishte thjesht produkt i kohës së vet, por një ndër zërat që e shtyu atë kohë të ndryshojë drejtim.

I lindur në Prishtinë më 1936, Demaçi hyri fillimisht në jetën publike si shkrimtar. Në vitet e rinisë botoi tregime dhe romanin “Gjarpërinjtë e gjakut”, një kritikë e ashpër sociale ndaj mentaliteteve që pengonin bashkimin shoqëror. Por shumë shpejt letërsia u bë vetëm hyrja në një përballje më të madhe, ajo me sistemin jugosllav. Për herë të parë, ai u arrestua në vitin 1958, ku më pas kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij në burg.

Në total, ai vuajti 28 vjet burg, duke u shndërruar në një nga të burgosurit politikë më jetëgjatë në Evropën e pasluftës. Për këtë arsye u quajt shpesh “Mandela i Ballkanit”. Mirëpo rëndësia e tij nuk qëndron vetëm te sakrifica personale. Demaçi ishte ndër të paktët që e formuloi konfliktin në Kosovë jo si çështje administrative apo autonomiste, por si çështje të drejtash dhe sovraniteti politik të një populli.

Pas lirimit në vitin 1990, ai mori drejtimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe në vitin 1991 u nderua me Çmimin Saharov të Parlamentit Evropian. Në fjalën e pranimit, ai përmblodhi filozofinë e tij politike: pa liri fjale nuk ka dialog, pa dialog nuk ka të vërtetë dhe pa të vërtetë nuk ka përparim. Ky ishte projekti i tij, një Kosovë që ndërtohet mbi të vërtetën dhe jo mbi kompromisin me padrejtësinë.

Në mesin e viteve ’90 ai kritikoi edhe vetë strategjinë dominuese politike shqiptare. Sipas tij, mosdhuna nuk duhej të nënkuptonte pasivitet. Ai kërkoi rezistencë qytetare të hapur ndaj regjimit serb. Kur besoi se kjo nuk mjaftonte më, u bë përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998, duke e interpretuar rezistencën si të drejtë të një populli ndaj represionit. Por, u largua edhe nga UÇK-ja kur Marrëveshja e Rambujesë nuk garantonte pavarësinë e Kosovës.

Pas luftës, energjinë e tij e orientoi drejt pajtimit ndëretnik, duke theksuar se liria kishte kuptim vetëm nëse ishte e përbashkët. Edhe në Kosovën e paspavarësisë, ai mbeti një figurë morale më shumë sesa partiake. Në vitin 2011 emri i tij u propozua për President të Kosovës si një figurë unifikuese mbi partitë, por kjo nuk u mbështet nga Vetëvendosje, një moment që tregoi paradoksin e përhershëm të Demaçit: ai shpesh ishte më i pranueshëm si simbol sesa si pushtet konkret.

Demaçi vdiq në korrik 2018, dhe mbetet një figurë e veçantë në historinë e Kosovës sepse ai përfaqëson idenë se liria duhet të artikulohet edhe atëherë kur duket e parealizueshme. /Albanianpost.com

Read Previous

IKD padit Ministrinë e Shëndetësisë, kërkon shfuqizimin e tarifës 3 euro për shoqëruesit e pacientëve

Read Next

Identifikohen mbetjet mortore të tre viktimave të luftës