Gola priti delegacionin e BE-së, diskutohet integrimi dhe reformat

Nënkryetari i Parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, priti sot në takim një delegacion të Bashkimit Evropian, të përbërë nga Zuzana Michalcova Sutiakova, Shefe për Ballkanin Perëndimor në EEAS, si dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë Eva Palatova, Blerta Bejtullahu dhe Felix Rathje.

Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit institucionale në vend, konstituimin e legjislaturës së 10-të të Kuvendit, si dhe ritmin e vendimmarrjes në javët e para të punës.

“Nënkryetari Gola theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht funksionale dhe të përkushtuara ndaj një agjende të qartë reformash dhe integrimi evropian. Në këtë frymë, si një ndër vendimet e para të kësaj legjislature, Kuvendi miratoi Marrëveshjen për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, nga i cili Kosova përfiton 882.6 milionë euro, duke reflektuar orientimin e palëkundur evropian dhe gatishmërinë për të avancuar me reforma konkrete.

Po ashtu, u veçua miratimi i marrëveshjeve me Bankën Botërore në vlerë prej 120 milionë euro, si dhe miratimi i Buxhetit për vitin 2026 në vlerë 4 miliardë euro, buxheti më i madh në historinë e vendit”, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit u diskutua edhe për rolin e komuniteteve joshumicë në Kuvend dhe për përfshirjen e tyre aktive në jetën institucionale. U theksua se Kosova ka ndërtuar një model të avancuar për garantimin e të drejtave të komuniteteve, duke qenë ndër vendet me standardet më të larta në Evropë në këtë drejtim.

“Nënkryetari Gola shprehu mirënjohje për mbështetjen e Bashkimit Evropian gjatë periudhës së krizës politike të vitit të kaluar, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit dhe për avancimin e reformave që e afrojnë vendin me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim. /RTKlive

Read Previous

Kurti: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke

Read Next

IKSHPK me këshilla e rekomandime për agjëruesit