GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se në takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë diskutuar për zhvillimet aktuale në vend.
Sipas komunikatës së Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj vendit. Ajo theksoi gjithashtu progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave kyçe.
“Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren për zgjedhjen në detyrë dhe për efikasitetin e treguar në funksionalizimin e Kuvendit, përfshirë procedimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, vazhdon njoftimi.
Ambasadori dhe kryetarja e Kuvendit shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit, përfshirë intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare.
“Përshëndeta përparimin e shpejtë që ka bërë Kuvendi në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Diskutuam për zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, ka shkruar Hargreaves.
Hargreaves më tej ka thënë se kanë shprehur pritjen për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Parlamenteve të dy shteteve. /RTKlive