Shqiptarët festojnë 113 vite pavarësi

Shqiptarët, kudo ku ndodhen, festojnë sot 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i kryesuar nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ky akt ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe ngritjen e një shteti të pavarur shqiptar.

Në shpalljen e Pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë.

28 nëntori i vitit 1912 u quajt si “Nëntori i dytë” pasi më 28 Nëntor 1443, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj.

Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke deklaruar në Vlorë: “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

Ismail Qemali ishte nisur që më 19 nëntor nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë. Më 21 nëntor, zbarkoi në Durrës prej vaporit të Llojdit austriak “Baron Bruck”. Në këtë qytet u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së 28 Nëntorit. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit. Por, për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.

Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënoi dhënien fund të sundimit gati pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe njëkohësisht krijoi kushte të reja politike për zhvillimin ekonomik, shoqëror e kulturor.

28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt.

Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më herët nga forcat serbe.

Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Data 28 nëntor përsëritet në historinë e Shqipërisë edhe në raste të tjera si fillimi i transmetimeve të Radio Tirana më 28 nëntor 1938 dhe datëlindja e heroit legjendar, Adem Jashari më 28 nëntor 1955. /ATSH/

Read Previous

MPB: Disa shërbime digjitale mund të mos jenë të qasshme në fundjavë

Read Next

Një shtet njofton se do të bojkotojë shortin e Kupës së Botës