Rinumërimi në Mitrovicë, KQZ jep detaje për procesin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës.

Sipas KQZ-së, deri në orën 09:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotime nga 105 sa i takojnë kësaj komune.

KQZ thotë se ky proces, planifikohet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që Mitrovica e Jugut të shkojë në rivotim, dy ditë pas përfundimit të balotazhit në këtë komunë. Në PDK thanë të martën se në Mitrovicë të Jugut është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor.

KQZ njofton po ashtu se një ditë më herët, të martën është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.

Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka filluar një ditë më parë. Sipas KQZ-së deri në orën 09:00 ditës së mëkurë, janë rinumëruar 10 vendvotime. /KosovaPress/

Read Previous

Christopher Hill: Nuk kam dëgjuar që drejtoria politike ishte pjesë e shtabit të UÇK-së

Read Next

Mbi 2400 gjoba dhe 52 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet