GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Pas dekadash të një qetësie relative që pasoi Luftën e Ftohtë, frika nga një konflikt bërthamor po rikthehet me intensitet të ri.
Në analizën e tij për Financial Times, Gideon Rachman, kryekomentator për çështjet e jashtme, argumenton se lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ndërtimi masiv i arsenalit bërthamor nga Kina po e vendosin sërish “butonin e kuq” në qendër të politikës botërore.
Sipas Rachman, testet e reja bërthamore të njoftuara nga Vladimir Putin dhe deklaratat e Donald Trump për rikthimin e testimeve amerikane shënojnë një kthesë dramatike pas më shumë se 30 vjetësh moratorium.
“Rusia dhe SHBA dikur përqafuan kontrollin e armëve, duke ulur me 80 për qind stokun global të armëve bërthamore. Por tani, epoka e frikës është kthyer”, shkruan Rachman.
Kina, nga ana tjetër, ka dyfishuar arsenalin e saj bërthamor që prej vitit 2020 dhe pritet ta dyfishojë sërish brenda dekadës së ardhshme – duke sfiduar ekuilibrin global të fuqive.
Rachman paralajmëron se kjo garë e re bërthamore është më e rrezikshme se ajo e Luftës së Ftohtë, për dy arsye: rrezikun e përhapjes bërthamore dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në ndërtimin dhe kontrollin e armëve.
“Sot, edhe shtetet jo-bërthamore – si Koreja e Jugut, Japonia, Polonia apo Arabia Saudite – po shqyrtojnë opsionin e armëve bërthamore. Ndërkohë, zhvillimi i AI-t e bën më të lehtë ndërtimin e tyre, madje edhe nga aktorë jo-shtetërorë”, shkruan ai.
Në përfundim, autori thekson se rezultati i luftës në Ukrainë mund të përcaktojë të ardhmen e këtij ekuilibri.
“Nëse Rusia humbet, bota mund të kuptojë se armët bërthamore nuk janë aq të dobishme sa mendohej. Por nëse fiton, atëherë mesazhi për të tjerët do të jetë i qartë: zotërimi i armëve bërthamore të lejon të luftosh pa frikë nga ndëshkimi”. /Albanianpost.com