Raporti i progresit, ky është vlerësimi për Doganën e Kosovës

Bashkimi Evropian ka publikuar të martën Raportin për shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.

Ky raport, sipas Doganës së Kosovës vlerëson progresin në fusha të rëndësishme, përfshirë: zgjerimin e numrit të terminaleve publike doganore, uljen dhe heqjen e tarifave në terminale private, rritjen e të hyrave krahasuar me vitin paraprak si rezultat i luftimit efikas të ekonomisë jo-formale, luftën kundër mashtrimeve doganore, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërkombëtar, zbatimin e masave për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, përdorimin e teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale në menaxhimin e rrezikut, si dhe rekrutimin e suksesshëm të stafit të ri që ka forcuar kapacitetet administrative dhe profesionale në organizate.

“Ky progres është arritur me përkrahjen e Qeverisë dhe bashkëpunimin me partnerët institucional dhe ndërkombëtarë, përfshirë Zyren e BE-së, Ambasadën e SHBA-së, Ambasadën Britanike, Qeverinë Gjermane dhe programet tjera relevante me punën e Doganës”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Sipas Doganës, në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian ka dhënë disa rekomandime për vitin e ardhshëm, që përfshijnë: Finalizimin e akteve nënligjore për Kodin e ri Doganor dhe të Akcizës; Forcimin e kapaciteteve profesionale dhe administrative sipas parimeve të meritës; Intensifikimin e luftës kundër kontrabandës në bashkëpunim me OLAF; Zhvillimin e sistemeve digjitale dhe miratimin e Strategjisë për Teknologjinë Informative; Heqjen e plotë të tarifave të mbetura për eksportuesit dhe importuesit.

Po ashtu Dogana veçon fushat kryesore të përparimit të evidentuara në raport: Rritje e ndjeshme e të hyrave doganore, me mbi 170 milionë euro të hyra shtesë gjatë vitit 2024, si rezultat i luftës efektive kundër mashtrimeve doganore dhe forcimit të integritetit institucional.

Po ashtu zgjerimin e numrit të terminaleve publike dhe heqja e plotë e tarifave të shërbimit në shumicën absolute të pikave kryesore të zhdoganimit, që ka mundësuar lehtësim të ndjeshëm të tregtisë dhe transparencë më të lartë.

Sipas Doganës, bashkëpunim i fuqizuar ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, përfshirë krijimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor me Administratën Tatimore dhe Policinë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me OLAF, që ka sjellë rezultate konkrete në luftën kundër kontrabandës.

“Rezultate të larta në mbrojtjen e pronësisë intelektuale (IPR) me sekuestrime të mallrave të falsifikuara me vlerë rreth 12 milionë euro, duke mbrojtur bizneset legjitime dhe konsumatorët. Zbatimi i banderollave elektronike të akcizës për produktet e duhanit dhe pijet alkoolike, që kontribuon në kontroll më të mirë të tregut dhe rritje të të hyrave buxhetore. Vendosja e themeleve për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në sistemet e analizës së rrezikut dhe platformën e inteligjencës së biznesit, një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të doganës. Efikasiteti i Laboratorit Doganor të akredituar, që ndihmon në lehtësimin e tregtisë dhe sigurinë e produkteve. Rekrutimi dhe integrimi i zyrtarëve të rinj doganorë, që ka përforcuar kapacitetet profesionale dhe efikasitetin organizativ të institucionit. Vendosja e skanerëve per të promovuar përmirësimin e kontrollave dhe sherbimeve. Pjesëmarrja aktive në programet e BE-së (Customs 2020) dhe forumet ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Doganave, duke kontribuar në ngritjen e standardeve profesionale dhe përafrimin me praktikat më të mira të BE-së”, thuhet në njoftim.

Dogana mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe në avancimin e reformave që forcojnë integritetin, transparencën dhe efikasitetin në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së Republikës së Kosovës. /KosovaPress/

Read Previous

Zyrtare: Milani dhe Interi blejnë stadiumin “San Siro”

Read Next

Plagosja e zyrtarit të BE-së, Prokuroria Speciale nis hetimet