Tregu i kriptomonedhave në Shqipëri, në kërkim të rregullimit ligjor

Tregu i kriptomonedhave në Shqipëri ka njohur zhvillim të shpejtë vitet e fundit, megjithatë mbetet ende i paorganizuar dhe pa një kuadër të qartë ligjor.

Kjo situatë ka krijuar pasiguri si për investitorët, ashtu edhe për autoritetet, veçanërisht në një kohë kur vetëm gjatë vitit 2024 SPAK sekuestroi rreth 11 milionë euro në kriptomonedha.

Ky fakt nxjerr në pah rreziqet e një tregu të pakontrolluar dhe nevojën urgjente për transparencë dhe rregullim.

Sipas Henry Hunt, investitor dhe tregtar profesional, themelues i TradeCast Albania dhe TrendHunters Community, tregu shqiptar është në një fazë premtuese por të pasigurt.

“Interesi është shumë i madh, por mungon rregullimi dhe on/off-ramp-et bankare që do ta bënin të mundur qarkullimin ligjor të kriptove. Krahasuar me Kroacinë apo Slloveninë, jemi pas, por me potencial të jashtëzakonshëm nëse ligji kanalizohet drejt inovacionit”, shprehet ai.

Për Hunt, rregullimi duhet të shërbejë jo për ta frenuar tregun, por për ta bërë atë transparent dhe të qëndrueshëm, duke mundësuar përdorime reale ekonomike si tokenizimi i aseteve apo krijimi i platformave fintech vendase.

Në të njëjtën linjë, ekspert i teknologjisë dhe edukimit financiar, Elvis Shera thekson se Shqipërisë nuk i duhet një ligj “tani”, por i është dashur gjithmonë.

“Ne jemi vagoni i fundit, ndërkohë që në BE dhe në shtetet e zhvilluara kriptovalutat janë asete të rregulluara dhe pjesë e tregut financiar. Kështu kemi humbur një industri të tërë start-up-esh që orbiton rreth blockchain-it dhe po vazhdojmë ta humbasim”, ravijëzon Shera për AP.

Të dy ekspertët pajtohen se boshllëqet aktuale nuk lidhen aq me mungesën e ligjit sa me mungesën e vullnetit për zbatim.

Shera shton se tregtimi i aseteve digjitale është i njohur për sa i përket tatimeve mbi fitimet dhe se shumica e bursave ndërkombëtare operojnë me standarde KYC.

Ndërkohë, Hunt thekson se një ligj i qartë dhe i balancuar, në frymën e rregullores MiCA (Markets in Crypto-Assets Regulation), do të sillte më shumë investime dhe do të tërhiqte kapital dhe talente.

“Ligji pa zbatim real nuk sjell zhvillim, ndërsa mbikëqyrja pa kornizë të qartë pengon inovacionin”, shprehet ai, duke propozuar krijimin e një autoriteti të dedikuar për licencimin dhe monitorimin e operatorëve të tregut.

Ndërsa mediat shpesh e lidhin kriptovalutën me pastrimin e parave, Shera argumenton se ky perceptim është i ekzagjeruar.

Ai e cilëson këtë fenomen si “një zhurmë në skemën e madhe të gjërave”, duke theksuar se vetë bankat tradicionale përfshihen shpesh në skandale shumë më të mëdha.

“Fenomeni amplifikohet gabimisht në media. Edhe ‘minimi i bitcoin-it’ shpesh paraqitet si i paligjshëm, kur në fakt ndalohet vetëm vjedhja e energjisë, jo procesi i vetë minimit”, shpjegon ai.

Nga ana e tij, Hunt shton se rregullimi i duhur do të ndihmonte në shmangien e këtyre keqkuptimeve dhe do të rriste besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e integruar më mirë vendin në tregun global të kriptomonedhave.

Për të dy ekspertët, roli i AMF dhe Bankës së Shqipërisë duhet të jetë proaktiv dhe liberalizues, në mënyrë që pasuritë digjitale të formalizohen, të kontribuojnë në ekonomi dhe të krijojnë hapësira për zhvillimin e kompanive të reja në teknologjinë blockchain.

“Transparenca arrihet kur tregu nuk frenohet, por nxitet të zhvillohet”, thekson Shera, ndërsa Hunt shton se “rregulla të qarta dhe zbatim i fortë janë kombinimi i vetëm që tërheq kapital dhe inovacion”.

Në aspektin teknologjik, Shqipëria ka potencial të dukshëm: internet të mirë, zhvillues të aftë dhe një brez të ri me prirje për inovacion digjital.

Por, siç thekson Hunt, sfida kryesore është siguria kibernetike.

“Edhe vendet më të zhvilluara kanë pësuar sulme serioze; prandaj forcimi i sigurisë digjitale duhet të jetë përparësi, krahas ndërtimit të infrastrukturës bankare për konvertimet dhe edukimit financiar publik”, sugjeron ai.

Në përfundim, ekspertët ndajnë të njëjtin vizion: Shqipëria ka potencial real për t’u kthyer në një qendër rajonale të inovacionit në fushën e blockchain-it, nëse qasja ndaj rregullimit është inteligjente dhe gjithëpërfshirëse.

Henry Hunt përmbyll me pesë rekomandime konkrete për projektligjin që pritet të dalë për konsultim publik:

  1. Harmonizim me standardet e BE-së sipas modelit MiCA, me licenca të diferencuara sipas rrezikut;
  2. Sandbox rregullator 12–24 muaj për start-up-et;
  3. Kornizë e qartë tatimore dhe manual zbatimi për AML/KYC;
  4. Partneritet me bankat për krijimin e on/off-ramp-eve dhe pagesa instant;
  5. Investim në kapacitete mbikëqyrëse dhe edukim publik.

Nëse këto hapa ndërmerren me seriozitet, Shqipëria mund të kthejë tregun e kriptomonedhave nga një fushë e pasigurt në një motor të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe dixhital. /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA-ja kërkon nga Hungaria të heqë dorë nga nafta dhe gazi rus

Read Next

Ish-ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj: Armatosja e Kosovës mbetet kryevepra kryesore e misionit tonë