Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidencës përmes komunikate për media.
“Presidentja Osmani ka arritur në Riad të Arabisë Saudite, me ftesë të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, për të marrë pjesë në Future Investment Initiative (FII)”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, theksohet se ky forum është i njohur si një nga ngjarjet më prestigjioze globale për investime dhe inovacion, mbledh udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave më të mëdha ndërkombëtare, investitorë, dhe ekspertë të teknologjisë e politikave publike, për të diskutuar idetë dhe strategjitë që do të formësojnë ekonominë dhe shoqëritë e së ardhmes.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite janë karakterizuar gjatë viteve nga një kombinim i mbështetjes politike, bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve kulturore me theks në aspektin fetar.
Arabia Saudite ishte ndër vendet e para të botës arabe që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2009, duke hapur kështu një kapitull të ri në diplomacinë e jashtme të Prishtinës.
Pas njohjes, raportet mes dy vendeve u zhvilluan gradualisht. Fillimisht, Arabia Saudite ofroi ndihmë humanitare për rindërtimin e Kosovës pas luftës dhe mbështeti disa projekte sociale, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës arsimore dhe fetare.
Megjithatë, për një periudhë të gjatë bashkëpunimi mbeti i kufizuar në nivel deklarativ, me pak marrëveshje konkrete ekonomike. /Albanianpost.com