Nis publikimi i rezultateve të para në garën për kryetarë komunash

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 39 për qind.

Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.


Agim Aliu shpall fitoren në Ferizaj

Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale në komunën e Ferizajt.

Gjatë një fjalimi në këtë qytet, ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë që të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm.

“Sonte fituan të gjithë, fitoi Ferizaj dhe ferizajasit. U dëshmua se puna mbizotëron mbi zhurmën”, tha ai.

Parashikimet e nxjerrin atë të parin, duke ia dhënë edhe një mandat në krye të kësaj komune që në rundin e parë të zgjedhjeve.


Simpatizantët e PDK-së nisin festën në Mitrovicë të Jugut

Simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë nisur festën në Mitrovicë të Jugut, ku sipas parashikimeve, Arian Tahiri i kësaj partie do ta fitojë këtë komunë në rundin e parë.

Më poshtë ju sjellim disa fotografi nga festa e simpatizantëve të PDK-së në këtë qytet:


Kurti: Zgjedhjet lokale u zhvilluan me dinjitet dhe përgjegjësi

Kryeministri në detyrë i Kosovës njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se procesi zgjedhor u zhvillua me dinjitet dhe përgjegjësi.

Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen e partisë së tij.

“Tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”.


KQZ: Dalja ishte 39 për qind, ka nisur numërimi i votave për kryetarë komunash

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se sipas të dhënave preliminare, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale votuan 39.07 për qind të qytetarëve.

Në zgjedhjet paraprake, dalja kishte qenë 43 për qind, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Radoniqi tha se në shumë prej vendvotimeve ka nisur numërimi i votave për kandidatët për kryetarë të komunave.

Pas këtij procesi do të numërohen edhe votat për asamblistët.


DnV: Proces i votimit, i qetë dhe demokratik

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoroi procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV), tha se procesi ishte i qetë dhe demokratik.

Megjithatë, DnV-ja vuri në pah se ka pasur disa parregullsi gjatë votimeve.

“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërmit e tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në librin e votimit”, tha DnV-ja.

Telashe për votuesit kanë shkaktuar edhe ndryshimi i qendrave të votimit për qytetarët dhe “një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në listën e votuesve”.

“Vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe prani të materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh”, tha DnV-ja në një njoftim për media pas mbylljes së vendvotimeve.

Ky koalicion u bëri thirrje komisionerëve që të bëjnë numërimin e votave me përkushtim dhe partive politike që me qetësi t’i presin rezultatet zyrtare.


Exit poll-et: Në Prishtinë shkon në balotazh Rama dhe Çeku

Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje pritet të përballen në balotazhin e 9 nëntorit për udhëheqjen e Prishtinës.

Kështu thuhet në exit poll-et e publikuara nga Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7. Sipas këtyre parashikimeve, Rama ka një epërsi të vogël ndaj Çekut.


Prizreni pritet të vendosë për kryetarin e ri në balotazh

Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, do të përballen në rundin e balotazhit.

Parashikimet se kjo komunë do të shkojë në balotazh janë bërë nga disa exit poll-e të publikuara në Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7. /Radio Evropa e Lirë/

Read Previous

Ky është LINKU ku mund t’i ndiqni rezultatet LIVE nga KQZ

Read Next

Memli Krasniqi: Sot fituan qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen