Ndeshja ndaj Serbisë, Broja: E rëndësishme është që të marrim tre pikët

Në prag të sfidës së shumëpritur ndaj Serbisë, dy prej figurave kyçe të Kombëtares shqiptare, sulmuesi Armando Broja dhe mbrojtësi Arlind Ajeti, dolën sot në një konferencë për mediat, ku shprehën vendosmërinë e skuadrës për të luftuar për tri pikët.

“Për mua më e rëndësishme është të fitojmë ndeshjet dhe të marrim tre pikët. Normalisht që kam qejf të bëj gola, por më bukur është të fitojmë ndeshjen dhe të ndihmoj ekipin. Kjo është një ndeshje futbolli. Është shumë e rëndësishme, por ne jemi shumë të fokusuar sepse është ndeshje e madhe. Luajmë jashtë shtëpie. Bashkë si skuadër do bëjmë çfarë duhet në fushë. Ka mundësi të bëj gola dhe në krahun e djathtë të sulmit. Unë kam dëshirë vetëm të ndihmoj ekipin. Edhe trajneri më thotë që duhet të jem i përqendruar, sepse rasti do të dalë. Në ndeshje mund të ketë vetëm një rast dhe të jem i fokusuar te ai rast për të shënuar. Kemi shanse maksimale. Është grup i vështirë, sepse kemi dhe Anglinë. Do të luftojmë deri në fund. Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme dhe jemi të fokusuar ta fitojmë”, u shpreh Broja.

Nga ana tjetër, mbrojtësi Arlind Ajeti u fokusua te forca e kundërshtarit, por edhe përgatitja taktike e Shqipërisë.

“Përshëndetje, normalisht që emocionet i kemi para çdo ndeshje, mundohemi ta shohim këtë vetëm si ndeshje futbolli, që të jemi profesionistë në çdo aspekt, synimi është të shkojmë, të japim maksimumin dhe të marrim 3 pikët. Ndeshja do të jetë e vështirë, si në aspekt futbollit dhe emocional, por do jemi profesionistë.

Besoj që Serbia në çdo rol ka futbollistë të mirë, me cilësi të lartë, kanë lojtarë si Mitroviç fizikisht është shumë i fortë, Vlahoviç i cili kohët e fundit ka pasur ndeshje të mira me Juventusin dhe besoj që do i analizojmë çdo lojtar saktësisht dhe të jemi të përgatitur për çdo rast.

Atje do jetë më e vështirë, se çdo ndeshje jashtë është më e vështirë se në shtëpi, se atje kanë dhe tifozët, ne sdo kemi atje, por ne do të japim maksimumin siç kemi bërë në çdo ndeshje, dhe shpresojmë që tja dalim. Këshilla nuk besoj që mund tju japim ne mbrojtësit sulmuesve, por shpresoj që ato rastet që do i kemi t`i shfrytëzojmë dhe ne mbrapa të provojmë të mbajmë portën pastër dhe sulmuesit e dinë vetë se çfarë do të bëjnë”, deklaroi Arlind Ajeti.

Read Previous

Policia e Kosovës: 64 aksidente trafiku në 24 orët e fundit

Read Next

Mësimdhënësit kosovarë kërkojnë më shumë mbështetje dhe trajnime thotë hulumtimi ndërkombëtar