Starmer: ID digjitale e detyrueshme për punësim në Britaninë e Madhe

Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi se qeveria do të fusë një skemë të re të ID-së (karta e identitetit) digjitale, e cila do të bëhet e detyrueshme për të gjithë ata që duan të punojnë ligjërisht në Britaninë e Madhe  sipas BBC.

Starmer deklaroi se skema e re do të bëjë më të vështirë punësimin e paligjshëm dhe do të sjellë “përfitime të panumërta” për qytetarët.

Qeveria tha se po shqyrton mënyra për të siguruar që shërbimi të jetë i aksesueshëm edhe për ata që nuk kanë mundësi të përdorin një smartphone dhe do të hapë një konsultim për mënyrën e implementimit më vonë gjatë vitit.

“Kjo do të përbëjë një mundësi të madhe për vendin dhe do të vështirësojë punësimin e paligjshëm”, tha Starmer.

ID-ja digjitale do të ruhet në telefonat e qytetarëve, në mënyrë të ngjashme me aplikacionin e NHS apo kartat e pagesave pa kontakt.

Ajo do të përfshijë emrin, datën e lindjes, një fotografi, kombësinë dhe statusin e banimit. Ata që nuk përdorin smartphone mund të marrin një kartë fizike.

Qytetarët nuk do të jenë të detyruar ta mbajnë me vete ose t’ua tregojnë të tjerëve, por do të duhet për të provuar të drejtën për të punuar.

Plani ka shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe qeveritë rajonale.

“Reform UK” e quajti skemën një “lojë cinike” për të mashtruar votuesit, ndërsa liderja konservatore Kemi Badenoch tha se nuk do të ndalojë anijet që sjellin migrantë.

Liberaldemokratët kundërshtojnë detyrimin e qytetarëve për të dhënë të dhënat e tyre private. Qeveritë e Skocisë dhe Irlandës së Veriut e kanë quajtur planin të papranueshëm. /ATSH/

Read Previous

VIDEO | Ski në Everest – skiatori polak thyen një rekord historik

Read Next

Trump: Ndeshjet e Botërorit 2026 mund të zhvendosen nga qytetet që nuk garantojnë siguri