​Nis punimet Kongresi i parë i përbashkët klinik i kirurgëve shqiptarë

Sot në Prishtinë ka nisur punimet Kongresi i parë i përbashkët klinik i kirurgëve shqiptarë – një ngjarje që bashkon kirurgët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare. Paralelisht, po zhvillohet edhe Kongresi i Pestë i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, i cili tashmë është bërë një traditë e rëndësishme shkencore dhe profesionale në vend.

Këtë vit, Kongresi Klinik i Kirurgjisë sjell së bashku 235 kirurgë, ndër ta 74 ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe rajoni, të cilët do të ndajnë përvojat, inovacionet dhe sfidat më të reja në fushën e kirurgjisë moderne.

Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Rifat Latifi tha se numri i pjesëmarrësve për këtë vit është jashtëzakonisht i madh.

“Ky është Kongresi i Pestë i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, por është edhe më e bukura se ky është kongresi i parë i gjithë kirurgëve shqiptarë ngado që janë nga SHBA-ja, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, të gjitha shtetet evropiane. Ne e kemi pasur këtë kongres të tillë edhe më përpara por nuk e kemi quajtuar ashtu siç duhet quajtur Kongresi i Parë Shqiptar i Kirurgëve Shqiptarë”, tha ai.

Edhe këtë vit në Kosovë kanë ardhur për të ligjëruar kirurgë nga vende të ndryshme të botes, prej tyre 65 janë ligjërues të huaj, si dhe rreth 60 janë ligjërues shqiptarë nga vende të ndryshme.

“Kemi ligjërues prej Argjentinës, në Evropë, në SHBA e në Lindje të Mesme por kemi edhe shumë punime shkencore nga Shqipëria posaçërisht, Maqedonia Veriore e Kosova/ Ne kemi më shumë se 65 ligjërues të jashtë, pastaj kemi më shumë se 50-60 ligjërues nga trojet shqiptare, kemi ligjërues nga vendet evropiane Austrisë, Gjermanisë e vendeve të tjera është vërtet një konglomerat i madh i të gjitha degëve kirurgjike”, tha ai.

Latifi tha se përmes kongreseve të tilla e ligjëratave shkencore, po ndahen përvojat më moderne dhe më të reja kirurgjikale.

Ai tha se shtrirja e Kongresit në të gjitha trojet shqiptare është mundësi për zhvillimin e një kirurgjie moderne shqiptare.

“Po mos të ketë konferenca dhe kongrese akademike, shkencore, në cfarë mënyre do ta ndanim diturinë edhe ato të rejat në shëndetësi dhe mjekësi, ato nuk mund të bëhen përmes facebook, ato bëhen aty ku diskutohet në mënyrë akademike shkencore. Këtë Kongres e mbajmë kësaj radhe në Prishtinë, kongresi i ardhshëm i kirurgëve shqiptare do të mbahet në Tiranë e pastaj në Shkup, do ta kemi një rotacion të vazhdueshëm në mënyrë që të gjitha trojet tona të bashkohen së bashku për të zhvilluar kirurgjinë moderne shqiptare”, tha ai.

Kongresit i Parë Klinik i Kirurgëve Shqiptarë do të zgjasë katër ditë, nga sot e deri më 28 shtator 2024.

Ceremonia për hapjen zyrtare të këtij Kongresi, që është në bashkëorganizim me

kirurgët nga trojet shqiptare, do të zhvillohet sot me fillim nga ora 18:00.

Kongreset Klinike të Kirurgjisë edhe viteve të kaluara kanë mbledhur pjesëmarrës e ligjërues nga vende te ndryshme të botës. /KosovaPress

Read Previous

Gaza dhe plani amerikan për lindjen e mesme

Read Next

Sveçla: Serbia përmes dronëve është duke shkelur hapësirën tonë ajrore