​Përdorimi i paracetamolit për gratë shtatëzëna mbetet i pandryshuar në BE

Në Bashkimin Evropain, paracetamoli (i njohur gjithashtu si acetaminofen) mund të përdoret për të reduktuar dhimbjen ose ethet gjatë shtatzënisë, nëse është e nevojshme klinikisht.

Këtë e ka treguar Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në faqen e saj zyrtare pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se mjekët në SHBA së shpejti do të këshillohen të mos përshkruajnë ilaçin për dhimbje Tylenol për gratë shtatzëna, duke përmendur një lidhje të diskutueshme mes ilaçit dhe autizmit

Aktualisht nuk ka dëshmi të reja që të kërkojnë ndryshime në rekomandimet aktuale të BE-së për përdorimin e tij, shkruan agjencia.

“Paracetamoli mbetet një opsion i rëndësishëm për trajtimin e dhimbjes ose etheve tek gratë shtatzëna. Këshillat tona bazohen në një vlerësim rigoroz të të dhënave shkencore në dispozicion dhe nuk kemi gjetur asnjë provë që marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë shkakton autizëm tek fëmijët”, shprehu Steffen Thirstrup, Drejtori i Përgjithshëm Mjekësor i EMA.

“Siç përfshihet në informacionin për produktin e paracetamolit në BE, një sasi e madhe të dhënash nga gratë shtatzëna që e kanë përdorur paracetamolin gjatë shtatzënisë tregon se nuk ka rrezik për deformime tek fetusi në zhvillim ose tek të porsalindurit. Në vitin 2019, EMA shqyrtoi studimet në dispozicion që hetuan zhvillimin neuropsikologjik të fëmijëve të ekspozuar ndaj paracetamolit në mitër dhe gjeti se rezultatet ishin të paqarta dhe nuk mund të vendosej një lidhje me çrregullime neurozhvillimore. Kur është e nevojshme, paracetamoli mund të përdoret gjatë shtatzënisë. Si me çdo medikament për trajtim akut, duhet përdorur në dozën më të ulët efektive, për kohën më të shkurtër të mundshme dhe sa më rrallë të jetë e mundur. Gratë shtatzëna duhet të flasin me profesionistin e tyre të kujdesit shëndetësor nëse kanë pyetje rreth ndonjë medikamenti gjatë shtatzënisë”, shkruhet në deklaratë.

EMA dhe autoritetet kombëtare të BE-së do të vazhdojnë të monitorojnë sigurinë e medikamenteve që përmbajnë paracetamol dhe do të marrin masa rregullatore sipas nevojës për të mbrojtur shëndetin publik. /KosovaPress/

Read Previous

NATO paralajmëron Rusinë për rrezikun e shkeljeve të hapësirës ajrore

Read Next

​Laporta: Rikthimi në “Camp Nou” ende në pritje