Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se është i gatshëm të ulet në tryezë me Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse Uashingtoni heq dorë nga kërkesa për çarmatimin bërthamor të Phenianit.
Lajmi u bë i ditur sot nga media shtetërore koreano-veriore.
“Nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga obsesioni absurd për të na denuklearizuar dhe kërkojnë bashkëjetesë të vërtetë paqësore, nuk ka arsye pse të mos ulemi për bisedime”, tha Kim në një fjalim dje para parlamentit .
Kim kujtoi gjithashtu marrëdhëniet me ish-presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se kishte “kujtime të mira” prej tyre, sipas agjencisë KCNA.
Megjithatë, ai theksoi se Pheniani nuk do të heqë kurrë dorë nga arsenali bërthamor dhe nuk do të dorëzohet përballë presionit të sanksioneve. “Bota e di mirë se çfarë bën Amerika pasi detyron një vend të çarmatoset”, shtoi ai.
Gjatë mandatit të parë, presidenti Trump ndoqi një politikë të pazakontë ndaj Koresë së Veriut, duke u takuar disa herë me Kim me synimin për të arritur çarmatosjen bërthamore.
Kohët e fundit, Trump e ka përshkruar marrëdhënien me udhëheqësin koreano-verior si “shumë të mirë” dhe ka shprehur interes për një tjetër takim.
Ndërkohë, administrata amerikane mbetet e vendosur në qëllimin për një çarmatim të plotë bërthamore të Koresë së Veriut. Pheniani, nga ana e tij, vazhdon testet raketore dhe përparimin në programin bërthamor, pavarësisht sanksioneve të ashpra ndërkombëtare. /ATSH-DPA /