Kosova bëhet pjesë e rrjeteve ndërkombëtare për One Health

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Kosova ka avancuar në iniciativat ndërkombëtare për shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, duke u bërë pjesë e rrjeteve globale për qasjen One Health.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.

“Komiteti Ndërministror i Kosovës për One Health është tashmë anëtar i Fondacionit për One Sustainable Health në Francë dhe i Rrjetit Ballkanik për One Health (BOHN). Ky hap synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kapacitetet shtetërore për parandalimin, monitorimin dhe menaxhimin e sëmundjeve që transmetohen nga kafshët tek njerëzit”.

“Z. Benoit Miribel, President i Fondacionit “Një Shëndet i Qëndrueshëm për të Gjithë”, nën kujdesin e Institutit Pasteur, pas këtij anëtarësimi ka vizituar Ministrinë e Shëndetësisë me ç’rast ka premtuar përkrahje konkrete në ngritjen e kapaciteteve laboratorike për Kosovën”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi sipas MSH-sw është të mbrohet biodiversiteti, të ndërtohen sisteme të qëndrueshme shëndetësore dhe të përmirësohen kapacitetet vendore për menaxhimin e krizave shëndetësore dhe emergjencave të natyrës zoonotike e mjedisore.

MSH-ja potencon se përmes këtij rrjetëzimi, Kosova do të ketë mundësi të zhvillojë projekte të përbashkëta me shtetet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, të ketë qasje më të lehtë në programe kërkimore, trajnime dhe fonde ndërkombëtare.

“One Health” është një koncept ndërdisiplinor që nxit bashkëpunimin midis mjekësisë njerëzore, veterinarisë, ekologjisë dhe shëndetit publik për të përmirësuar shëndetin global. Ideja kryesore është se shëndeti i njerëzve, kafshëve dhe mjedisit janë të lidhura ngushtë dhe nuk mund të merren në mënyrë të pavarur. /Albanianpost.com

Read Previous

Deputeti i LVV-së: Kushtetuesja nuk bën në asnjë formë të devijoj vullnetin politik të votimit në Kuvend

Read Next

Zyrtarizohen emrat e kabinetit të ri qeveritar në Shqipëri