Analizë | 1.5 milion emigrantë janë larguar nga SHBA-ja këtë vit

Sipas një analize të re nga Pew Research, rreth 1.5 milion emigrantë janë larguar nga Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti, kryesisht si pasojë e masave të ashpra të marra nga administrata Trump. Kjo është hera e parë në dekada që popullsia emigrante në SHBA shënon rënie, një zhvillim që Shtëpia e Bardhë e sheh si fitore të politikave të saj, por që paralelisht ngre shqetësime për ndikimin ekonomik.

Në janar, popullsia e lindur jashtë vendit arriti një rekord prej 53.3 milionë, e nxitur nga flukset gjatë administratës Biden. Por të dhënat e Anketës së Popullsisë Aktuale, të analizuara nga Pew, tregojnë se deri në qershor kjo shifër kishte rënë në 51.9 milionë – një ulje me mbi 1.5 milionë persona.

Kjo rënie ka pasur ndikim të menjëhershëm në tregun e punës. Nga 20% e forcës punëtore që përbëhej nga emigrantë vitin e kaluar, tani kjo shifër ka rënë në 19%. Kjo përkthehet në më shumë se 750 mijë punëtorë më pak në sektorë kyç si kujdesi shëndetësor, bujqësia dhe përpunimi i mishit. Në shumë zona, fermerët dhe fabrikat raportojnë se nuk arrijnë të gjejnë punëtorë të mjaftueshëm për të përballuar kërkesën.

Përtej deportimeve të drejtpërdrejta, shumë emigrantë kanë zgjedhur të largohen vetë nga frika e kontrolleve dhe masave ndëshkuese. Pew paralajmëron gjithashtu se një pjesë e rënies mund të lidhet edhe me ngurrimin e njerëzve për t’u përgjigjur anketave zyrtare.

Ekonomia amerikane tashmë po reflekton efektet. Nga maji deri në korrik janë shtuar vetëm 35 mijë vende pune në muaj, një ritëm shumë i ulët krahasuar me periudhat e mëparshme. Ekspertët e lidhin këtë direkt me rënien e numrit të emigrantëve në fuqinë punëtore.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e konsideron situatën si një arritje. “Premtime të dhëna. Premtime të mbajtura”, tha zëdhënësja Abigail Jackson, duke argumentuar se më pak emigrantë nënkuptojnë një treg pune më të drejtë për punëtorët amerikanë.

Por pyetja e madhe që shtrohet është nëse ekonomia amerikane, me një popullsi që po plaket me shpejtësi, do të mund të përballojë mungesën e fuqisë punëtore. Analistët theksojnë se kujdesi për amerikanët e moshuar nuk është një detyrë që teknologjia apo inteligjenca artificiale mund ta zëvendësojë lehtësisht. /Albanianpost.com

Read Previous

Pse britanikët po zgjedhin Durrësin për pushimet e tyre?

Read Next

Digjet një veturë në veri të vendit