Komisioni Evropian gjobit Google me 1,02 miliard dollarë për shkelje të Aktit për Tregjet Digjitale
Norvegjia ka konfirmuar se do të vendosë një kufi moshe për shitjen e pijeve energjike, duke shtrënguar rregullat, ndërsa shqetësimet shëndetësore rriten për shkak të konsumit në rritje të kafeinës.
Nga 1 janari 2026, Norvegjia do të vendosë një ndalim mbarëkombëtar për shitjen e pijeve energjike për këdo nën moshën 16 vjeç. Qeveria thotë se ky veprim është hartuar për të mbrojtur të rinjtë nga efektet e dëmshme të konsumit të tepërt të kafeinës.
“Pijet e tepërta energjike çojnë në shqetësim, probleme me gjumin dhe vështirësi në përqendrim. Mund të shkaktojnë gjithashtu dëmtime në sistemin kardiovaskular dhe atë nervor qendror”, tha Ministri i Shëndetësisë Jan Christian Vestre.
Qeveria hodhi për konsultim projektligjin në fillim të këtij viti, ku pati përkrahje të tij, por edhe kritika.
Shoqata Mjekësore Norvegjeze, Shoqata e Stomatologëve dhe Instituti i Shëndetit Publik donin që ndalimi të zbatohej edhe për personat nën 18 vjeç.
“Ne kishim pritur një politikë më ambicioze të shëndetit publik nga qeveria, e cila e vë shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve në radhë të parë, në përputhje me parimin e parandalimit”, tha Stale Onsgard Sagabraten i Shoqatës Mjekësore.
Megjithatë ministri i Shëndetësisë, Vestre tha se “besojnë se shumë 16-vjeçarë janë mjaftueshëm të pjekur për të bërë zgjedhje të informuara. Kjo është arsyeja pse e kemi vendosur këtë kufi”.
Nga ana tjetër, Shoqata Norvegjeze e Birrarisë e përshkroi rregullin e ri si të panevojshëm, duke argumentuar se pijet energjike nuk duhet të trajtohen ndryshe nga produktet e tjera me kafeinë, siç janë kafeja ose çaji.
Popullariteti i pijeve energjike në Norvegji është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Sipas shifrave të industrisë, në vitin 2024 u shitën 78 milionë litra, një rritje prej 340 % krahasuar me vitin 2014.
Dyqanet tani do të duhet të përshtaten me rregullat e reja. Në muajt e parë, shkeljet do të rezultojnë në paralajmërime, por qeveria ka sinjalizuar se mund të pasojnë gjobat nëse shitësit me pakicë nuk i zbatojnë. /rtsh.al/