Krasniqi: Po shkojmë drejt zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se vendi po shkon drejtë zgjedhjeve të reja parlamentare. Sipas tij, mënyra më e lehtë për të shkuar në zgjedhje është të konstituohet Kuvendi dhe më pas të shpërndahet legjislatura.

Këtë deklarim, Krasniqi e bëri pas dështimit të radhës së seancës konstituive.

“Normalisht që po shkojmë drejtë zgjedhjeve dhe zgjedhjet kanë me qenë të pa shmangshme. Nëse nuk ka vullnet nga ana e partisë së parë për të bërë zgjidhjen atëherë zgjedhjet mbesin si opsion. Mekanizmi për të shkuar në zgjedhje duhet të përmbushet. Më së lehti dhe së shpejti për të shkuar në zgjedhje është të konstituohet Kuvendi dhe të shpërndahet legjislatura”, tha Kransiqi.

Krasnqi tha se Lëvizja Vetëvendosje me vetëdije nuk dëshirojnë ta konstituojnë Kuvendin, duke propozuar ministra për kryeparlamentar, që sipas tij nuk kanë shansin t’i marrin votat e mjaftueshme.

“Me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë Kuvendin sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota. Nuk kanë si t’i manifakturojnë votat përtej 57-shit që e kanë pasur. Sido që të jetë është e drejtë e tyre…Janë 35 deputetë të tjerë të cilët kanë më shumë shanse se këta ministra që e kanë degraduar vendin kohëve të fundit”, tha Krasniqi.

Krahas këtyre, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe janë certifikuar në të njëjtën ditë për të marrë pjesë për herë të parë për të në zgjedhjet lokale.

Vota kundër e LVV-së dje në Komisionin Qendror Zgjedhor për mos certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale, sipas Krasniqit është vazhdim i lojës së LVV-së.

“Vazhdimi i lojës së Vetëvendosjes sikur herën e kaluar edhe këtë herë. Asnjëherë nuk kanë votuar kundër në të kaluarën, vetëm kur afrohen zgjedhjet normalisht bëjnë popullistin dhe patriotin. Por që tregon më mirë historiati i tyre. Nëse nuk gaboj se kanë kaluar shumë vite, herën e parë kur janë certifikuar për marrje në zgjedhe edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista serbe janë certifikuar në ditën e njëjtë dhe kanë filluar aktivitetin e njëjtë në kuptimin institucional dhe elektoral”, tha Krasniqi.

Sot dështoi për të disatën herë seanca konstituive për zgjedhjen e kryeparlamentarit. LVV-ja propozoi për kryetar të Kuvendit të Kosovës, ministrin në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Por, i njëjti nuk arriti votat e mjaftueshme. /KosovaPress/

Read Previous

Durrësi përfshihet nga reshjet e dendura

Read Next

Gërvalla: Bllokimi s`lidhet me emra të përveçëm