Si prodhohet djathi, një ndër specialitetet e Qumështores Gexha
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio planifikon të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov të enjten, vetëm disa ditë pasi presidenti, Donald Trump shprehu zhgënjim ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin për mosangazhimin në bisedimet e paqes me Ukrainën, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.
Takimi do të zhvillohet në Malajzi në margjinat e një takimi të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, i njohur shkurt si ASEAN, raporton CNN.
Trumpi ka përsëritur disa herë këtë javë se Ukraina ka nevojë për armë mbrojtëse. Komentet e tij kanë ardhur pasi një ndalesë e rrjedhës së armëve në Ukrainë, e drejtuar nga Pentagoni, shkaktoi konfuzion në lidhje me mbështetjen e vazhdueshme ushtarake amerikane për Ukrainën.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth nuk e kishte informuar Shtëpinë e Bardhë përpara se të jepte dritën jeshile për të ndaluar dërgesat e armëve në Ukrainë javën e kaluar dhe ky veprim e zuri gjithashtu në befasi Rubion, ka raportuar CNN bazuar në burime. Pak pas ndalesës, Trumpi ka thënë se të paktën disa nga dërgesat e armëve do të vazhdonin.
“Putini nuk po i trajton qeniet njerëzore siç duhet”, ka thënë Trumpi për homologun e tij rus të martën. “Ai po vret shumë njerëz”.
“Pra, ne po dërgojmë disa armë mbrojtëse në Ukrainë, dhe unë e kam miratuar këtë”, ka shtuar presidenti amerikan.
Trumpi gjithashtu ka kritikuar ashpër Putinin, duke thënë se ai ka ofruar shumë “budallallëqe” të cilat kanë rezultuar të jenë “të pakuptimta”.
Pas këtyre komenteve, Rusia ka nisur sulmin e saj më të madh me dronë deri më sot në Ukrainë me më shumë se 700 dronë, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës.
Do të jetë hera e dytë që Rubio takohet me homologun e tij rus, e para në Arabinë Saudite në fillim të këtij viti. Të dy kanë folur në telefon disa herë në muajt e fundit, ndërsa SHBA-ja po përpiqen për një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë, e cila nuk është realizuar kurrë.
Gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, Trumpi ka pasur një ton më të butë me Putinin, me qëllim që ta bindte atë të binte dakord për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Mirëpo tani, ndërsa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon, zemërimi i Trumpit po bëhet çdo herë e më i dukshëm, duke krijuar një takim potencialisht të tensionuar midis Rubios dhe Lavrovit./koha.net/