Kompania turke e industrisë ushtarake, Aselsan, ka testuar me sukses sistemin e ri të kundërmasave elektronike YILDIRIM 100, i cili synon të mbrojë helikopterët, dronët dhe avionët me fluturim të ulët nga raketat me rreze të shkurtër veprimi, shkruan Gazeta Sinjali.
Sistemi është zhvilluar në përgjigje të humbjes së mbi 15 helikopterëve gjatë operacioneve të forcave turke kundër PKK-së në lindje të vendit. Në testin e kryer, YILDIRIM 100 neutralizoi me sukses një raketë Igla përmes kundërmasave lazer, duke marrë përsipër reflektimin termik të objektivit.
Sipas Aselsan, ky sistem nuk kërkon sasi të larta energjie, çka e bën të përshtatshëm dhe ekonomik për t’u vendosur në mjete ajrore me krahë fiks. Ai përbëhet nga dy kulla, sensorë të avancuar dhe një njësi e integruar kontrolli që siguron reagim të shpejtë dhe koordinim me sistemet e paralajmërimit të raketave.
Me këtë teknologji të avancuar, Turqia konfirmon pozicionin e saj në mesin e pak vendeve që posedojnë aftësi mbrojtëse me lazer.