PDK-ja i konteston në Kushtetuese katër çështje për seancën konstituive

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së katër veprimeve gjatë seancës konstituive të Kuvendit më 29 qershor dhe vazhdimeve më 1 e 3 korrik, të tri seanca të mbajtura pas aktgjykimit të 26 qershorit të Kushtetueses.

Në një njoftim për media, PDK-ja ka lajmëruar se ka kontestuar “kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë, hedhjen në votim të këtij komisioni, vetë votimin e komisionit dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”.

“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në reagim të PDK-së.

PDK-ja ka kërkuar nga Kushtetuesja ta shpallë antikushtetues çështjen e votimit të komisionit të fshehtë, vendimin për ndërprerjen e seancës dhe të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të hapur./Koha.net

Read Previous

Futbollistët e KF “Letaj” triumfuan në “Ulpiana Cup Albania”