Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se gjatë ditëve të fundit, territori ynë ishte përfshirë nga një valë e të nxehtit me temperatura maksimale ditore që janë luhatur ndërmjet 29-39 gradë Celsius.
IHK njofton se kjo situatë meteorologjike është karakterizuar nga masat ajrore të nxehta, të cilat kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të temperaturave mbi vlerat e mesatareve për këtë periudhë të vitit.
Ndërkaq, sipas parashikimeve sinoptike, gjatë fundjavës pritet një ndryshim i theksuar i kushteve atmosferike, i cili do të shoqërohet me një rënie të ndjeshme të temperaturave maksimale.
Ky ndryshim lidhet me depërtimin e masave ajrore më të freskëta nga veriu dhe veriperëndimi i kontinentit, të cilat do të ndikojnë në stabilizimin gradualë motit.
IHK bën të ditur se për të shtunën parashihet të mbajë mot me diel dhe vranësira të pakta.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29 gradë Celsius.
Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1- 3m/s.
Ndërkaq, për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-16gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-30 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimi me shpejtësi 1-4m/s.
Indeksi UV mbetet i lartë, prandaj këshillat e IKSHP mbeten në fuqi edhe për ditët e ardhshme. /Telegrafi/