Shitjet e Tesla-s vazhdojnë të bien, a është koha që Elon Musk të tërhiqet?

Tesla po fillon të duket si një makinë elektrike që i ka mbaruar bateria në mes të autostradës. Ndihmë! Thirrni shërbimin e ndihmës rrugore!

Prodhuesi i automjeteve elektrike i Elon Muskut, ka raportuar rënien e pestë me radhë të shitjeve mujore në të gjithë Evropën – sipas të dhënave të ACEA-s, Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve.

Kjo ndodh në një kohë kur shifrat e kësaj organizate tregtare flasin për një rritje të fuqishme të automjeteve elektrike në BE, me regjistrimet e reja që janë rritur me më shumë se një të katërtën (26.1 për qind) që nga fillimi i vitit, dhe me 25 për qind vetëm në maj. Duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera jashtë BE-së, shitjet në të gjithë Evropën, të automjeteve me bateri, u rritën me 27.2 për qind në maj dhe me 27.8 për qind gjatë gjithë vitit deri tani.

Në anën tjetër, shitjet e Tesla-s janë goditur rëndë. Në këtë vit, regjistrimet e reja në BE ranë me 45.2 për qind gjatë pesë muajve të parë, dhe me 40.5 për qind vetëm në maj. Në të gjithë Evropën, këto shifra ishin përkatësisht 37.1 për qind dhe 27.9 për qind. Rënie e shitjeve në një treg në rritje? Nuk duket gjë e mirë.

Dikur kam shkruar se bebja e Elon Muskut ishte Audi, BMW apo Mercedes i botës së automjeteve elektrike. Një makinë prestigji. Simboli “Shiheni, kam një Tesla” për njerëzit që kanë para. Si ndryshojnë kohët! Po, e dimë se modelet e Tesla-s janë bërë të vjetruara dhe konkurrenca e lirë nga Kina është një kërcënim i vërtetë. Por, ndarjet dhe polarizimi që ka sjellë shefi i saj kanë hedhur baltë mbi logon e Tesla-s. Madje, ka pasur edhe raste vandalizimi të veturave Tesla. Kjo është përçmuese. Të zemëruar për atë që ka thënë apo bërë? Më mirë goditeni aty ku i dhemb më shumë – në xhep – gjë që duket se po bëjnë më me mençuri evropianët duke braktisur këtë markë në mënyrë masive.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur rënia, pavarësisht vlerësimit që menaxherët e flotave të makinave kanë për kompaninë. Këtë vit, shitjet ranë me 7.8 për qind, por në maj u fundosën me një rënie prej 36 për qind.

A mund të ndalet kjo rrëshqitje? Dalja e Muskut nga administrata Trump ishte hapi i mirë i parë. Por, po të isha këshilltari i tij për komunikimin strategjik, do t’i rekomandoja të fshihej në zyrë dhe të qëndronte larg X-it. E di, e di, ka pak gjasa të ndodhë. Musk nuk e përmban veten. Atëherë, si alternativë: qëndro jashtë politikës dhe mjaftohu me mburrjet për SpaceX-in, biznesin tjetër të Muskut. Po, edhe ai ka pasur ndonjë rast kur raketat janë përplasur, por prapë po bën gjëra që na mahnitin neve, adhuruesve të fantashkencës. Ndoshta mund të shtojë edhe pak filantropi apolitike për të kompensuar shkurtimet e fondeve të USAID-it dhe përshëndetjet fyese? Plot miliarderë bëjnë zhurmë të madhe për t’u dhënë diçka të tjerëve. Është vetëm një mendim.

Por, çfarë nëse rënia vazhdon? A mund të tërhiqet Musku? Duket e paimagjinueshme, dhe mendoj se është shumë pak e mundshme. Por, më herët këtë vit, Wall Street Journal, një burim i besueshëm në çështjet e biznesit, raportoi se anëtarë të bordit të Tesla-s kishin kontaktuar rekrutues për të shqyrtuar emrat e mundshëm të pasuesve. Raporti u mohua menjëherë dhe fuqishëm, por spekulimet vazhdojnë, dhe në të vërtetë ka një farë logjike në këtë. Musk është një figurë që e ka ndërtuar veten si “shkatërrues i rregullave”. Është kjo që e shtyn atë përpara, dhe ka qenë tipar i karrierës së tij në biznes. Që nga investimi i tij fillestar në Tesla në vitin 2004, ai e ka ndryshuar industrinë e automobilave, duke ndihmuar në përshpejtimin e progresit të automjeteve elektrike dhe duke detyruar konkurrencën të inovojë. Por, tashmë Tesla është pjesë e establishmentit dhe, për të siguruar të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë, ndoshta do t’i nevojitej një CEO më konvencional. Dikush pak më i mërzitshëm.

Emra që përfliten? JB Straubel – një bashkëpunëtor i afërt i Muskut dhe sot drejtues i startapit për riciklim baterish, Redwood Materials – përmendet shpesh dhe është pjesë e bordit të Tesla-s. Brenda kompanisë, Omear Ashfar, krahu i djathtë i Muskut, shihet si një figurë premtuese, ashtu si edhe Tom Zhu, i cili ka udhëhequr operacionet në Kinë. Drejtori financiar, Vaibhav Taneja, është një tjetër mundësi, megjithëse kalimi nga CFO në CEO nuk funksionon gjithmonë mirë. Me gjasa më të vogla, por gjithsesi e denjë për t’u marrë në konsideratë, është Gwynne Shotwell, presidente dhe drejtuese operacionale në SpaceX.

Problemi për secilin prej tyre është se sa thellësisht është i lidhur Musku me Tesla-n.

Hija që ai hedh mbi kompaninë është po aq e gjatë sa Kili. Aksionarët e grupit kanë përjetuar kohë të trazuara kohët e fundit. Me një çmim aksioni me pak më shumë se 340 dollarë, ai është larg kulmit prej 480 dollarësh që u arrit në dhjetor, kur Trump po përgatitej të merrte detyrën dhe Musk shihej si miku më i ngushtë i presidentit. Megjithatë, nëse do të kishit investuar para një viti, 100 dollarët tuaj sot do të vlenin 184. Një fitim i mirë.

Aksionet mbështeten nga një ushtri investitorësh të apasionuar, përfshirë menaxherë fondesh të mëdha me miliarda dollarë në administrim. Ata ende presin që Musk të përdorë shkopin magjik dhe të rigjejë rritjen marramendëse të Tesla-s. Gjëra të çuditshme kanë ndodhur. Mund të mos e pëlqeni njeriun, por vetëm një budalla do ta nënvlerësonte.

Krahasimi më i afërt për një largim të mundshëm të Muskut do të ishte ajo që ndodhi kur Steve Jobs u largua nga Apple. Vdekja e parakohshme e themeluesit të gjigantit teknologjik, çoi në ngritjen e Tim Cookut, i cili u dëshmua si një pasardhës i suksesshëm. Por, kur ai u largua herën e parë, gjërat nuk shkuan mirë, dhe Jobs u kthye për të shpëtuar kompaninë.

E panevojshme të thuhet: Tesla është shumë më e varur nga Musku sesa ishte Apple nga Jobsi, edhe në kulmin e fuqisë së këtij të fundit. /Telegrafi/

Read Previous

Shtëpia e Bardhë rekomandon përfundimin e financimit për programe ndërkombëtare të llogaridhënies për krime lufte

Read Next

Testi i Arritshmërisë shpërndahet në rrjete sociale