Për herë të parë në Kosovë po mbahet konferenca e 41-të vjetore e Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA), ku pjesëmarrës janë mbi 100 pjesëmarrës nga 37 vende të botës. Kjo konferencë po shihet si mundësi për forcim të bashkëpunimit mes akterëve që ndikojnë në jetën e të rinjve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Karta Evropiane për Rini nuk është vetëm një kartë zbritjeje, por një mjet për mobilitet, arsim dhe pjesëmarrje aktive që të rinjtë kanë nevojë për mundësi reale, jo vetëm për premtime.
Ai tha se Kosova si pjesë e kësaj Karte tashmë ka regjistruar afër 8 mijë të rinj të cilët do të mund të marrin zbritje në transport, arsim, kulturë, e akomodim në 35 shtete evropiane.
“Programi ynë i Kartës Evropiane për Rini filloi në fillim të vitit 2024 dhe po zbatohet nga Konsorciumi i Organizatave Rinore në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjatë gjashtë muajve të parë të kësaj periudhe, arritëm të regjistrojmë afër 8,000 të rinj si pjesëmarrës në program, si dhe të përfshijmë 18 partnerë biznesi, me synimin për të arritur në 60 partnerë deri në fund të vitit. Gjithashtu po ofrojmë mijëra zbritje dhe përfitime për të rinjtë brenda dhe jashtë Kosovës. Përmes kësaj karte, të rinjtë tanë mund të përfitojnë nga zbritje në transport, arsim, kulturë, sport, akomodim dhe shumë shërbime të tjera në mbi 35 shtete evropiane, me më shumë se 70,000 përfitime të ndryshme. Karta Evropiane për Rini përfaqëson një nga veprimet konkrete në kuadër të politikës sonë të re për rininë, tha ai.
Kurti para përfaqësuesve të shumë vendeve tha se përmes kësaj konference po forcohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave që ndikojnë në mirëqenien e të rinjve.
Ai tha se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe tashmja e kontinentit.
“Përmes kësaj konference, po e forcojmë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, organizatave dhe akterëve që ndikojnë në jetën e të rinjve. Këtu do të diskutojmë ide të reja, do të shkëmbejmë praktikat më të mira dhe do të frymëzojmë njëri-tjetrin për të hartuar politika më të drejta dhe më të ndjeshme ndaj të rinjve. Të rinjtë përfaqësojnë energjinë dhe kreativitetin e së ardhmes së Evropës. Por ju nuk jeni vetëm e ardhmja, jeni e tashmja e secilit vend të kontinentit tonë. Si shtet, jemi të përkushtuar që të formësojmë politikat tona duke reflektuar këtë bindje. EYCA është një pjesë thelbësore e këtij angazhimi dhe një shembull se si bashkëpunimi ndërkombëtar mund të sjellë ndryshime të prekshme në jetën e të rinjve”, tha ai.
Presidenti i Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini, Miguel Perestrello tha se në Kartën Evropiane për Rini janë të përfshirë afërsisht 9 milionë të rinj që përfitojnë afërisht 70 mijë zbritje në marka të mëdha në gjithë Evropën.
“Jam krenar të them se përmes Kartës Evropiane për Rini arrijmë më shumë se 9 milionë të rinj. Mbajtësit e kartës përfitojnë nga mbi 20,000 zbritje nga marka të mëdha dhe mundësi për të rinj në gjithë Evropën. Nëse i bashkojmë të gjitha markat e mëdha që ofrojnë zbritje, arrijmë në 70,000 zbritje që i përmendi edhe kryeministri, të cilat mund të përfitohen në të gjithë Evropën. Këto shifra janë të rëndësishme, por ajo që përfaqësojnë është edhe më e fuqishme mbështetje reale dhe konkrete për të rinjtë në jetën e tyre të përditshme. Që nga viti i kaluar kemi arritur suksese të rëndësishme në fusha si qeverisja, regjistrimi i anëtarëve dhe rritja e numrit të tyre, paneli rinor dhe projekte të tjera rinore, si dhe në marrëdhëniet me organizatat evropiane si Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian dhe me rrjetin tonë të partnerëve rinorë, ERYICA dhe Eurodesk”, tha ai.
Konferenca e 41-të Vjetore të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA) mbledh të rinj nga 37 vende të botës në Kosovë dhe do të vazhdojë edhe nesër. Kosova u bë zyrtarisht anëtare e EYCA-s një vit e gjysmë më parë, saktësisht më 11 dhjetor 2023. /KosovaPress/