Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) ka reaguar ashpër ndaj sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore iraniane, duke paralajmëruar një përgjigje të ashpër që “do të shkaktojë keqardhje të thellë” për Uashingtonin dhe aleatët e tij, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore iraniane Tasnim, IRGC tha se veprimi i SHBA-së përbën “agresion të drejtpërdrejtë” dhe i jep Iranit të drejtën legjitime për vetëmbrojtje, duke përfshirë edhe masa përtej pritshmërive të “koalicionit agresor”.
“Ne nuk frikësohemi nga zhurma e Trumpit dhe bandat kriminale në Uashington dhe Tel Aviv”, thuhet në deklaratë. IRGC nënvizoi gjithashtu se është e përgatitur për një luftë të plotë hibride dhe se rrjeti i përfaqësuesve të mbështetur nga Irani në rajon është i gatshëm për veprim.
Sulmet e SHBA-së ndodhën të shtunën vonë dhe kishin në shënjestër tri qendra bërthamore të rëndësishme: Fordow, Natanz dhe Esfahan. Irani ka paralajmëruar për pasoja të menjëhershme pas këtij akti, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të ri të rrezikshëm në Lindjen e Mesme.