Për dy rundet e zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar të shpenzojë rreth 2.5 milionë euro vetëm për votimin me postë dhe tërheqjen e dërgesave postare.
Kjo shumë mendohet të mbulojë koston për 100 mijë votues të regjistruar në rundin e parë, 70 mijë prej tyre në raundin e dytë dhe shërbimet e ndryshme postare.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai tha për Ekonomia Online se vetëm pas procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, KQZ-ja do të ketë një pasqyrë më të qartë për këtë kosto.
“Shuma e planifikuar nga KQZ-ja për të mbuluar këtë operacion zgjedhor është në vlerë dy milionë e 480 mijë euro. Në këtë planifikim është llogaritur organizimi i procesit për 100 mijë votues të regjistruar në rundin e parë, për 70 mijë prej tyre në rundin e dytë si dhe shërbimet postare për tërheqjen për në Kosovë të dërgesave nga kutitë postare që do të hapen në shtete të ndryshme të botës. Sidoqoftë, ky është vetëm një planifikim dhe do të duhej të presim përfundimin e procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për të pasur një pasqyrë më të qartë”, tha Elezi.
Sipas tij, kjo kosto vjen pas masave që ka ndërmarrë KQZ-ja, të cilat do të ndikojnë në integritetin e procesit të votimit jashtë Kosovës.
Ai shpjegoi se në këto zgjedhje lokale votimi jashtë vendit do të realizohet vetëm përmes postës, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk lejon organizimin e votimit në përfaqësi diplomatike.
“Ndryshe nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme specifikon se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh. Gjithashtu, në këto zgjedhje, KQZ-ja do të sigurohet që shtetasve të Kosovës që regjistrohen suksesshëm për të votuar nga jashtë Kosovës në votimin me postë t’ua dërgojë përmes postës fletëvotimin dhe materialet e tjera të nevojshme zgjedhore për votim. Kjo masë konsiderojmë se do të ndikojë në integritetin e këtij procesi. Ndërkaq, është detyrë e votuesit që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së, të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit, mund të votojnë në Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, nëse aplikojnë dhe regjistrohen suksesshëm për votim jashtë Kosovës. Periudha e regjistrimit do të zgjasë 38 ditë (23 korrik – 29 gusht 2025) dhe gjatë kësaj kohe të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Aplikimi për regjistrim mund të bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së ose përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë./koha.net/