Ambasada e SHBA në Tiranë ka shpërndarë mesazhin e presidentit Donald Trump pas sulmeve ajrore amerikane ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, shkruan Gazeta Sinjali.
Presidenti Trump paralajmëroi se çdo kundërpërgjigje nga Irani do të përballet me një forcë ushtarake shumë më të madhe se ajo e mbrëmjes së kaluar.
Në një mesazh të publikuar në platformën e tij Truth Social dhe të shpërndarë për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se SHBA ka goditur lokacione bërthamore në Fordow, Isfahan dhe Natanz, të cilat, sipas tij, janë “shkatërruar plotësisht”.
Ai theksoi se qëllimi i SHBA-së është të ndalojë pasurimin e uraniumit nga Irani dhe të eliminojë kërcënimin bërthamor nga një vend që e quajti “sponsori kryesor i terrorizmit në botë”.
Trump u bëri thirrje iranianëve të bëjnë paqe, duke paralajmëruar se në rast të mosbindjes, sulmet e ardhshme do të jenë edhe më të fuqishme dhe me objektiva të shumtë.
“Janë mbetur shumë objektiva dhe nëse paqja nuk arrihet së shpejti, ne do t’i godasim”, paralajmëroi presidenti amerikan.